Çdo afat kalimtar shoqërohet me zëra e spekulime për lëvizje të mundshme mes klubeve të mëdha evropiane. Këtë herë, në qendër të vëmendjes është një “dhimbje koke” e përsëritur për drejtuesit e Liverpoolit.
Bëhet fjalë për mbrojtësin 26-vjeçar Ibrahima Konate, kontrata e të cilit skadon në verën e vitit 2026. Kampionët e rinj të Anglisë kanë nisur bisedimet për rinovimin, por pa arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
Dhe sipas raportimeve më të fundit, situata ka marrë një kthesë të papritur që ka tronditur tifozët e “The Reds”.
Sipas “CaughtOffside”, qendërmbrojtësi francez tashmë ka njoftuar klubin për synimin e tij që të largohet verën e ardhshme.
Kjo do të thotë se ai do të jetë i lirë të negociojë për një destinacion të ri duke nisur nga sezoni 2026/27 dhe destinacioni më i mundshëm duket të jetë Real Madridi.
Ibrahima Konate
Edhe pse PSG ka shfaqur interes dhe Arabia Saudite ka tunduar me oferta financiare marramendëse, Konate duket se synon t’i ndjekë hapat e Trent Alexander-Arnold, duke zgjedhur “Santiago Bernabeu” si shtëpinë e tij të re.
Liverpool, ndërkohë, po përgatitet të përballet me realitetin e hidhur të humbjes së një prej mbrojtësve kryesorë, ndërsa për Real Madridin kjo do të ishte një tjetër goditje e madhe në merkato, meqenëse si Alexander-Arnold do të vjen falas./Telegrafi/