Wednesday, April 1, 2026
spot_img
HomeLajmeKomunat me rritje nominale të buxhetit, por me humbje të mëdha financiare

Komunat me rritje nominale të buxhetit, por me humbje të mëdha financiare

Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe analizave të Asociacioni i Komunave të Kosovës, financat e komunave për vitin 2025 paraqesin një realitet shqetësues: rritje në letër, por mungesë reale e përfitimeve për zhvillimin lokal.

Buxheti total i komunave ka shënuar një rritje nga 841 milionë euro në vitin 2024 në mbi 864 milionë euro në vitin 2025, që përkthehet në një shtesë prej rreth 23.2 milionë euro. Megjithatë, kjo rritje nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kapaciteteve zhvillimore të komunave.

Nga analiza e strukturës së shpenzimeve, rezulton se mbi 15.1 milionë euro nga kjo rritje janë absorbuar nga kategoria e pagave dhe mëditjeve, si pasojë e vendimeve të nivelit qendror për rritjen e pagave në sektorin publik. Kjo ka lënë vetëm rreth 7.8 milionë euro në dispozicion për kategori të tjera, përfshirë investimet kapitale, subvencionet dhe shërbimet komunale.

Pavarësisht kësaj, komunat kanë treguar performancë të mirë në rritjen e të hyrave vetanake, duke reflektuar një menaxhim më efikas financiar. Por ky progres është zbehur ndjeshëm nga barrat financiare të imponuara nga faktorë jashtë kontrollit të tyre.

Një nga shqetësimet kryesore mbetet ndikimi i vendimeve gjyqësore. Gjatë vitit të kaluar, komunave u janë marrë mbi 126.6 milionë euro, kryesisht për shkak të obligimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive për sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Sipas të dhënave, rreth 27% e kësaj shume është shpenzuar për kosto procedurale, përmbarues dhe avokatë, duke mos arritur drejtpërdrejt te përfituesit, transmeton Klankosova,tv,

Drejtori i Asociacioni i Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thekson se kjo situatë tregon një disproporcion të madh ndërmjet rritjes së buxhetit dhe humbjeve reale financiare.

“Krahasuar me rritjen prej rreth 23 milionë euro, humbjet mbi 126 milionë euro dëshmojnë se komunat nuk po përfitojnë realisht. Pjesa më e madhe e rritjes po shkon për paga, ndërsa investimet dhe zhvillimi lokal mbeten të kufizuara,” ka theksuar ai transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, komunat nuk kanë nevojë për rritje formale të buxhetit, por për mbështetje konkrete që mundëson realizimin e projekteve kapitale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT