E premte, 8 Gusht, 2025
spot_img
HomeLajmeKomuna vazhdon punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, Gëzim Kastrati shpalos faktet mbi...

Komuna vazhdon punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, Gëzim Kastrati shpalos faktet mbi bllokadën (VIDEO)

Konflikti mes nivelit qendror dhe atij lokal ka kthyer pjesën kryesore të kryeqytetit në një vendpunishte.
Balta dhe bllokimi i rrugës në të gjitha anët, tashmë për një kohë të gjatë, kanë zhgënjyer qytetarët që megjithatë prisnin transformimin e kësaj pjese të Prishtinës.

Për zvarritjen e punimeve në rrugët “Xhorxh Bush” dhe “Rexhep Luci”, Komuna e Prishtinës mohon të ketë përgjegjësi.

Zyrtarët komunalë shpjegojnë se ndalimi i punimeve vjen si pasojë e një vendimi nga Ministria e Kulturës, e cila ka ngritur shqetësime lidhur me ekzistencën e monumenteve historike në zonën ku po kryhen ndërhyrjet.

Gëzim Kastrati, drejtori i Transformimit në Komunën e Prishtinës, në një intervistë për Kiks Kosova, ka thënë se komuna nuk ka kryer asnjë ndërhyrje në monumentet historike, siç ka pretenduar Ministria e Kulturës.
Sipas tij, punimet në rrugën “Xhorxh Bush” janë realizuar me kujdes dhe në përputhje me ligjet në fuqi, pa dëmtuar asnjë prej objekteve të mbrojtura.

Kastrati ka thënë se kanë dorëzuar të gjitha materialet e nevojshme për rifillimin e punimeve.
Sipas tij, edhe pas këtij veprimi të Komunës së Prishtinës, Ministria nuk ka bërë ndonjë lëvizje.

Udhëheqësi i Transformimit në kuadër të komunës e quan absurde krijimin e një situate të tillë, ndonëse ata janë të vendosur që të vazhdojnë punimet.
Kastrati ka konfirmuar se komuna është duke vazhduar punimet në pjesët ku i lejohet.

Ai ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila, sipas tij, është kthyer në të mirë të komunës.
Të gjendur në këtë situatë, Kastrati e sheh si një fillim të ri për të gjithë projektin transformues të kryeqytetit.

Në Kiks Kosova, Gëzim Kastrati konfirmon se tashmë janë duke vazhduar punimet në bashkëpunim me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve.
Ai madje thekson se as Kosova e as qytetarët e këtij vendi nuk e meritojnë këtë gjendje.

Më së paku, përmend ai, e meritonin bashkatdhetarët ta gjenin vendin në një kaos të tillë.

Por, siç thekson ai, kryeqyteti nuk i ka borxh Ministrisë së Kulturës trajtimin që po i bëhet.

Në intervistën e tij, Kastrati thotë se ka dyshime të bazuara se kjo bllokadë po bëhet krejtësisht për fushatë zgjedhore.
Për këtë, ai përmend edhe faktin se Ministria e Kulturës ka kërkuar pëlqimin për vazhdimin e punimeve vetëm pas ndalimit të tyre.
Në vend që të bashkëpunojnë, sipas Kastratit, ky institucion ka vendosur ta bllokojë komunën dhe ta zvarrisë projektin.

Komuna vazhdon të insistojë se në vendet ku parashihet projekti dhe po bëhen punimet, nuk ka asnjë dokument ekzistues që dëshmon për monumente të trashëgimisë kulturore.

Komuna e Prishtinës ka thënë se punimet në sheshin “Xhorxh Bush” janë duke vazhduar në bashkëpunim me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve, pas një ndërprerjeje të përkohshme që ishte iniciuar nga Ministria e Kulturës.

Kiks Kosova ka dërguar pyetje edhe në adresën e Ministrisë së Kulturës, mirëpo deri në transmetimin e kësaj kronike, zyrtarët e këtij institucioni nuk janë përgjigjur.

The post Komuna vazhdon punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, Gëzim Kastrati shpalos faktet mbi bllokadën (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT