E mërkurë, 11 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeKomuna ia shkurton subvencionet, reagon DokuFest: Nënvlerësim ndaj kulturës, komunitetit dhe Prizrenit

Komuna ia shkurton subvencionet, reagon DokuFest: Nënvlerësim ndaj kulturës, komunitetit dhe Prizrenit

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, ka reaguar me shqetësim dhe zhgënjim të thellë ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit për të reduktuar ndjeshëm subvencionet për të dytin vit me radhë.

Përkundër rritjes së buxhetit të përgjithshëm për kulturën, fondet për DokuFest janë ulur me gati 30% krahasuar me vitin e kaluar, duke përfaqësuar më pak se 9% të buxhetit total të festivalit.

Organizatorët e quajnë këtë një vendim që minon rëndësinë kulturore dhe ekonomike të festivalit dhe një goditje ndaj gjithë asaj që është ndërtuar me përkushtim për gati një çerek shekulli.

“Nuk është vetëm çështje buxheti. Është çështje vizioni dhe përkushtimi ndaj kulturës, qytetarëve dhe imazhit të Prizrenit,” thuhet në reagimin zyrtar të DokuFest-it.

DokuFest u bën thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të mos e shohin kulturën si luks, por si pjesë thelbësore të identitetit dhe zhvillimit të qytetit.

“DokuFest nuk është vetëm një ngjarje. Është një investim në të ardhmen e qytetit tonë – ekonomikisht, kulturalisht dhe socialisht,” thekson reagimi.

Organizatorët i bëjnë thirrje Komunës së Prizrenit që të rishqyrtojë urgjentisht këtë vendim dhe të riafirmojë përkushtimin ndaj kulturës. Njëherësh, ftojnë të gjithë partnerët – artistë, qytetarë, donatorë dhe dashamirë të kulturës – të qëndrojnë përkrah festivalit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT