Në komunën e Vitisë është përuruar rruga e re që lidh fshatin Vernakollë me rrjetin kryesor rrugor, një investim i rëndësishëm që do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe do të përmirësojë infrastrukturën lokale.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, të cilët bashkë me banorët e fshatit mirëpritën përfundimin e këtij projekti.
Kryetari Haliti, në fjalën e tij, theksoi se Komuna e Vitisë po vijon me përkushtim realizimin e projekteve infrastrukturore në të gjitha zonat, me synim zhvillimin e balancuar dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët, përcjell Telegrafi.
Ai rikujtoi se vitin e kaluar është përuruar edhe rruga alternative në Stubëll, që lidh fshatrat Stubëll të Epërme, Stubëll të Poshtme dhe Goden – një projekt që ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e qarkullimit dhe bashkimin e komuniteteve lokale.
Banorët e Vernakollës e mirëpritën këtë investim, duke e cilësuar si një dëshmi të përkushtimit të komunës për zhvillimin e zonave rurale dhe për lehtësimin e jetës së përditshme të tyre.
Ky projekt, i financuar nga buxheti komunal, përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në territorin e komunës së Vitisë. /Telegrafi/