Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka përuruar përfundimin e punimeve në rrugën që lidh fshatrat Llanisht dhe Devetak, duke e cilësuar këtë investim si historik për zhvillimin dhe dinjitetin e zonave rurale të komunës.
Në ceremoni morën pjesë familjarët e Heroit të Kombit, Imer Devetaku, si dhe të profesorit të ndjerë Ismail Hasani, në nderim të të cilit segmenti rrugor mban edhe një emërtim simbolik, përcjell Telegrafi.
“Kjo rrugë ka një rëndësi të madhe sepse lidh Llanishtin me Devetakun, duke i kthyer dinjitetin dhe gjallërinë fshatrave që dikur ishin të lëna pas dore. Sot, çdo cep i komunës sonë më në fund lidhet me qytetin, duke u dhënë të gjithëve mundësi të barabarta zhvillimi”, tha kryetari Aliu.
Ai gjithashtu theksoi se ky projekt është pjesë e një vizioni më të gjerë për të lidhur të gjitha fshatrat me qendrën urbane, duke krijuar kushte për zhvillim ekonomik dhe social në çdo zonë. “Për katër vjet kemi punuar pa u lodhur për të përmirësuar rrugët e fshatrave tona dhe këtë transformim do ta vazhdojmë”, shtoi Aliu. /Telegrafi/