Pas raportimeve në opinionin publik për ndërprerjen e kontratave të punës në NPL “Ku’zina” Sh.A., Komuna e Prishtinës ka dalë me një sqarim zyrtar, duke theksuar se bëhet fjalë për kontrata të përkohshme, të lidhura me një projekt specifik dhe jo për punësime të rregullta, raporton Gazeta Sinjali.
“Në lidhje me disa raportime në opinionin publik mbi ndërprerjen e kontratave të punës në NPL ‘Ku’zina’ Sh.A., Kryeqyteti dëshiron të theksojë se bëhet fjalë për përfundimin e kontratave të përkohshme që kanë qenë të lidhura ekskluzivisht me realizimin e një projekti specifik – ofrimin e shujtave në kuadër të mësimit të zgjatur në disa shkolla të Kryeqytetit.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, punëtorët e angazhuar për këtë projekt kanë qenë të përfshirë vetëm për qëllime të përkohshme dhe jo në pozita të përhershme në kuadër të ndërmarrjes publike.
“Përfundimi i këtyre kontratave është proces i zakonshëm që ndodh me përfundimin e një projekti të përkohshëm, dhe nuk ndikon në funksionimin e rregullt të ndërmarrjes.”
Kryeqyteti ka siguruar opinionin publik se NPL “Ku’zina” Sh.A. vazhdon të operojë me kapacitete të plota dhe po përgatitet për avancim të shërbimeve.
“NPL ‘Ku’zina’ Sh.A. është duke funksionuar me kapacitete të plota dhe është në fazë të avancuar të përgatitjeve për përmirësimin dhe pasurimin e mëtejmë të shërbimeve ushqimore për qytetarët, në përputhje me standardet më të larta të sigurisë ushqimore dhe nevojat e komunitetit.”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.
Njoftimi i Ku’zina:
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!