Ekstremja e pasigurisë, si rrënjë e kompleksit të inferioritetit, shpesh çon në tërheqje nga jeta shoqërore. Njerëzit që e përjetojnë shmangin kontaktet për të mos rrezikuar gjykimin apo kritikat, dhe si pasojë ndihen të vetmuar e të izoluar
Pothuajse nuk ka njeri që të mos ketë ndjerë qoftë një herë dyshime mbi veten ose pasiguri. Por, kur imazhi negativ për vlerën personale bëhet i qëndrueshëm dhe ndikon në përditshmëri, atëherë flasim për një gjendje që njihet si kompleksi i inferioritetit.
Si u përshkrua për herë të parë kompleksi i inferioritetit?
Ky koncept u përshkrua për herë të parë nga psikologu austriak Alfred Adler në vitin 1907. Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA), kompleksi i inferioritetit përkufizohet si një ndjenjë e thellë e pamjaftueshmërisë dhe pasigurisë, që mund të çojë në sjellje të ndryshme, nga tërheqja dhe shmangia e shoqërisë, deri te agresiviteti ose konkurrenca e tepruar.
Adler besonte se në bazë të këtij kompleksi qëndron bindja se nuk jemi mjaftueshëm të mirë dhe se gjithmonë mbetemi pas të tjerëve. Kjo nxit krahasim të vazhdueshëm me të tjerët, duke krijuar ndjesinë se nuk mund të arrijmë kurrë lumturi apo sukses, transmeton Telegrafi.
Kompleksi i inferioritetit dhe ndikimi tek vetëvlerësimi
Është e rëndësishme të theksohet se ndjenja e pamjaftueshmërisë mund të jetë reale, por edhe e sajuar. Kur mbetet e paadresuar, me kohë përforcohet dhe shndërrohet në besim të fortë mbi pavlefshmërinë personale. Kjo mund të shkaktojë probleme të thella psikologjike dhe emocionale.
Në literaturë, kompleksi i inferioritetit shpesh barazohet me vetëvlerësim kronikisht të ulët. Edhe pse nuk njihet si diagnozë më vete në manuale zyrtare si DSM-5, psikologët e konsiderojnë si burim të rëndësishëm vuajtjeje.
Njerëzit që përballen me këtë kompleks shpesh mendojnë se nuk janë kurrë të mjaftueshëm, pavarësisht rrethanave apo mendimit të të tjerëve. Ky perceptim mund të bëhet aq i fortë, sa të paralizojë funksionimin e përditshëm.
shutterstock
Humori vetë-nënçmues dhe krahasimi i vazhdueshëm
Krahasimi me të tjerët është një nga shenjat më të dukshme të kompleksit të inferioritetit. Në epokën e rrjeteve sociale, ky krahasim bëhet pothuajse i pashmangshëm: të tjerët shihen gjithmonë të suksesshëm e të lumtur, ndërsa vlerat personale mbeten në hije.
Për të maskuar pasiguritë, disa përdorin humor vetë-nënçmues, duke bërë shaka në kurriz të vetes. Kjo mund të duket argëtuese për të tjerët, por shpesh është një strategji mbrojtëse ndaj kritikave apo gjykimeve.
Nga shëndeti mendor te ai fizik
Kompleksi i inferioritetit nuk ndalet vetëm tek aspekti psikologjik. Studimet tregojnë lidhje midis vetëvlerësimit të ulët dhe çrregullimeve të gjumit, ku pagjumësia shpesh është një simptomë paralajmëruese.
Po ashtu, sjelljet që duken si të kundërta, si mburrja për arritje personale apo perfeksionizmi i tepruar, shpesh janë mënyra të tjera për të mbuluar ndjenjat e pamjaftueshmërisë. Në teorinë e Adlerit, kjo quhet kompleksi i superioritetit, një maskë për të fshehur ndjesinë e brendshme të inferioritetit.
Perfeksionizmi – ambicie apo frikë?
Perfeksionizmi shpesh interpretohet si ambicie, por në shumë raste buron nga një frikë e thellë nga dështimi dhe bindja se asgjë nuk është kurrë mjaftueshëm e mirë. Kur kërkimi i përsosmërisë fillon të kufizojë jetën dhe të shkaktojë vuajtje, është një tregues i qartë se pas tij qëndron kompleksi i inferioritetit.
Si ta njohim dhe si ta tejkalojmë?
Kompleksi i inferioritetit mund të shfaqet në mënyra të ndryshme:
- tërheqje nga jeta shoqërore
- pasiguri e thellë
- ndjesi e vetmisë
- ose nevoja për t’u dëshmuar vazhdimisht
Hapi i parë është vetëdijesimi: të kuptojmë modelet tona të mendimit dhe sjelljes. Hapi i dytë është puna me veten, qoftë përmes psikoterapisë, qoftë me teknika zhvillimi personal, që ndihmojnë të ndërtojmë një ndjenjë të shëndetshme të vlerës sonë. /Telegrafi/