Kompjuteri më i rrallë, Apple-1 shitet për 475 mijë dollarë në një ankand në Boston

news image

Një nga kompjuterët më të rrallë në histori, modeli Apple-1, është shitur për 475 mijë dollarë amerikanë në një ankand të mbajtur në Boston.

Kompjuteri i shitur i përket grupit të parë prej vetëm 50 njësish të prodhuara nga bashkëthemeluesit e Apple-it, Steve Jobs dhe Steve Wozniak në vitin 1976. Ai është një nga vetëm nëntë ekzemplarët funksionalë që ekzistojnë ende sot.

Modeli i njohur si “Byte Shop Apple-1” përmban një kabinetë prej druri dhe vjen në gjendje të plotë pune – faktor që ndikoi në çmimin e lartë në tregun e koleksionistëve.

Fillimisht ishte parashikuar të shitej për rreth 300 mijë dollarë, por shuma përfundimtare tejkaloi pritshmëritë, duke dëshmuar vlerën historike dhe koleksionuese të teknologjisë së hershme të Apple.

Kompjuteri, i quajtur “Moore Apple-1”, i përkiste zonjës June Blodgett Moore, e njohur si gruaja e parë që ka diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Stanford. Pajisja u ofrua në ankand me të gjithë komponentët përkatës: tastierën origjinale, “interface” për kaseta dhe softuerin Apple BASIC. Për më tepër, një video demonstruese e funksionimit të kompjuterit ditën para ankandit i shtoi edhe më shumë vlerë ofertës.

Modeli Apple-1 konsiderohet si themeli mbi të cilin u ndërtua perandoria e teknologjisë së Apple. Në kohën kur doli në treg, ai shitej për vetëm 666.66 dollarë, duke sjellë një revolucion në botën e kompjuterëve personalë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/