Kompjuter i rrallë Apple-1 shitet për 475 mijë dollarë

Kompjuter i rrallë Apple-1 shitet për 475 mijë dollarë

Një nga kompjuterët më të rrallë në histori, modeli Apple-1, është shitur për një çmim marramendës prej 475 mijë dollarësh amerikanë në një ankand të mbajtur në Boston.

Kompjuteri, i cili i përket grupit të parë prej vetëm 50 njësish të prodhuara nga bashkëthemeluesit e Apple-it, Steve Jobs dhe Steve Wozniak në vitin 1976, është një nga vetëm nëntë ekzemplarët funksionalë që ekzistojnë edhe sot.


Modeli i shitur, i njohur si “Byte Shop Apple-1”, përmban një kabinetë prej druri dhe vjen në gjendje të plotë pune – një fakt që ka ndikuar në vlerësimin e lartë të tij në tregun e koleksionistëve.

Fillimisht ishte parashikuar që pajisja të shitej për rreth 300 mijë dollarë, por çmimi përfundimtar tejkaloi pritshmëritë, duke dëshmuar vlerën historike dhe koleksionuese të teknologjisë së hershme të Apple.

Kompjuteri i quajtur “Moore Apple-1” i përkiste zonjës June Blodgett Moore, e njohur si gruaja e parë që ka diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Stanford.

Pajisja erdhi në ankand me të gjithë komponentët përkatës: tastierën origjinale, “interface” për kaseta, si dhe softuerin Apple BASIC. Për më tepër, një video demonstruese që tregonte funksionimin e kompjuterit ditën para ankandit, i shtoi edhe më shumë vlerë ofertës.

Modeli Apple-1 është konsideruar si themeli mbi të cilin u ndërtua perandoria e teknologjisë së Apple.

Në atë kohë, këta kompjuterë shiteshin për vetëm 666.66 dollarë dhe përbënin një revolucion për teknologjinë kompjuterike të asaj kohe. /Telegrafi/