Kompania mohon punën në pronë të ferizajasit: Po veprojmë konform vendimit

Kompania mohon punën në pronë të ferizajasit: Po veprojmë konform vendimit

Të mërkurën, Klankosova.tv ka raportuar për një rast në Ferizaj, ku qytetari Bekim Gashi është ankuar se ndërtimet që po i bën një kompani private, po ia pamundësojnë atij qasjen në shtëpi.

Redaksia jonë ka kontaktuar me kompaninë, pronari i së cilës, Armend Emërllahu i ka mohuar pretendimet e Gashit.

“Ne përgënjeshtrojmë pretendimet e z.Gashi pasi që i njëjti nuk ka me dokumentacion as derë në atë pjesë të shtëpisë. Bazuar në skica, dalja e tij është mbrapa shtëpisë dhe jo aty ku po kryhen punimet. Puna po vazhdon konform vendimit të gjykatës që na e lejon ndërhyrjen edhe aty”, është shprehur Emërllahu për Klan Kosova.

Megjithatë, i njëjti kur është ballafaquar me ankesën e Gashit për mos-vendosjen e pajisjeve mbrojtëse në hapësirën ku po kryen ndërtime, e ka pranuar se ka pasur raste kur kjo nuk ka ndodhur.

Emërllahu po ashtu ka akuzuar Gashin se në disa raste edhe ai ia ka hequr pajisjet mbrojtëse për të penguar punimet.

“Është e vërtetë që në disa raste nuk kemi vendosur pajisje mbrojtëse për të mos e rrezikuar zonën pasi z.Gashi i ka larguar ato dhe nuk na ka dhënë mundësinë të kryejmë krejt punën si duhet. Megjithatë, ato janë vendosur tashmë dhe po kujdesemi që të sigurojmë hapësirë të sigurt për banorët përreth”, deklaroi pronari i kompanisë “Konica Construction”.

Ky i fundit ka dërguar edhe një aktvendim të Gjykatës Themelore të Ferizajt, që mban datën 23 qershor, 2025, përmes së cilit thotë se mbështeten pretendimet e tij.

Në këtë aktvendim thuhet se “refuzohet propozimi i propozuesit Bekim Gashi nga Ferizaj, me të cilin ka propozuar që ndaj kundërpropozueses ‘Konica Construction’ Sh.P.K, me seli në Ferizaj, të vendoset masa e përkohshme e sigurimit, ashtu që të njëjtës t’i ndalohet kryerja e punimeve ndërtimore të cilat janë duke i kryer në parcelën nr. 01846-3, Z.K. Ferizaj, deri në zgjidhjen e çështjes kryesore, si i pabazuar”, thuhet në aktvendimin e Themelores.

Themelorja, në arsyetim thotë se paditësi-propozuesi në padi dhe propozim ka theksuar se ngastra e tij me nr. 01846-3 dhe ngastra e tani të paditurës-kundërpropozueses “Konica Construction” janë ngastra fqinje, pra kufizohen me njëra-tjetrën.

“Ish-pronarët e ngastrës fqinje me nr. 3493-0, ngastrën e tyre e kanë dhënë për ndërtim të përbashkët afaristo-banesor me tani të paditurën ‘Konica Construction’ e cila gjatë punimeve në hapjen e bodrumit, ku me këtë rast paditësit i është pamundësuar hyrja në pronën e tij, sepse paditësi për të hyrë në pronën e tij nga rruga kryesore, e ka shfrytëzuar pronën e tani të paditurës si kalim të domosdoshëm sepse nuk ka qasje apo mënyrë tjetër të kalimit për ta shfrytëzuar për banim ngastrën nr. 01846-3 në të cilën e ka ndërtuar edhe shtëpinë, ngase kjo rrugë ka qenë rrugë e përhershme të cilën palët e kanë shfrytëzuar të papenguar nga njëri-tjetri”.

“Andaj, nga arsyet e lartcekura i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit, ashtu që t’i ndalojë kundërpropozueses punimet ndërtimore të cilat janë duke i kryer në ngastrën kadastrale me nr. 01846-3, deri në zgjidhjen e çështjes kryesore”, thuhet në arsyetimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore.

Më tej është sqaruar se kur mund të përcaktohet “Masa e sigurimit”.

“Në qoftë se propozuesi i sigurimit e bën të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të së drejtës subjektive të tij, dhe në qoftë se ekziston se pa caktimin e masës së këtillë pala kundërshtare do të mund ta pamundësonte apo vështirësonte realizimin e kërkesës, sidomos me tjetërsimin e pasurisë së vetë, me fshehjen e saj, me ngarkimin apo ndonjë mënyrë tjetër me të cilën do të ndryshonte gjendja ekzistuese të gjërave, ose në ndonjë mënyrë tjetër do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit”.

Gjykata thotë se ka analizuar thëniet e paditësit-propozuesit në padi si dhe thëniet në propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit dhe ka ardhur në përfundimin se propozimi për këtë masë “duhet të refuzohet si i pabazuar, ngase propozuesi nuk e ka bindur gjykatën se duhet të caktojë një masë të tillë”.

“Gjykata konstatoi se, vetë fakti se kjo çështje ka për objekt kontesti themelimin e servitutit të kalimit, vlerëson se e drejtat e servitutit është barrë reale në sendin e huaj e jo e drejtë pronësore, andaj edhe nuk mund t’ia kufizojë pronarit të paluajtshmërisë tri autorizimet kryesore që i garantohen me ligj, siç janë e drejta e posedimit, shfrytëzimit dhe tjetërsimit të pronës”, ka thënë Gjykata.

Pronari i kompanisë ka dërguar në redaksinë tonë edhe skicat e ngastrës së tij, të cilat mund t’i shihni më poshtë. /Klankosova.tv

The post Kompania mohon punën në pronë të ferizajasit: Po veprojmë konform vendimit appeared first on Klan Kosova.