Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me mosekzekutimin e pagesave nga Komuna e Gjilanit ndaj organizatave jo qeveritare, të cilat ofrojnë shërbime sociale falas për fëmijët dhe familjet në nevojë, në bazë të kontratave të nënshkruara me Komunën e Gjilanit me datë 16 korrik 2025.
Në reagimin e kësaj organizate, thuhet se pavarësisht se projektet (shërbimet) e organizatave janë përzgjedhur nga Komuna për financim dhe Komuna ka hyrë në obligime kontraktuale me organizatat, ajo akoma nuk ka realizuar pagesat dhe si pasojë e kësaj situate është duke u rrezikuar funksionimi i shërbimeve sociale në Komunën e Gjilanit.
“Kjo situatë cenon rëndë mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve përfituese, dhe vë në rrezik qëndrueshmërinë e ofrimit të shërbimeve sociale, në një kohë kur nevoja për këto shërbime është më e madhe se kurrë”, thuhet në komunikatën e KOMF-it transmeton Klankosova.tv.
KOMF i bën thirrje Komunës së Gjilanit që urgjentisht të përmbushë obligimet e saj financiare ndaj organizatave të kontraktuara në mënyrë që të mos ndërpriten shërbimet ndaj qytetarëve të Komunës së Gjilanit, shërbime këto të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë thekson se mosekzekutimi i pagesave ka pasoja të menjëhershme:
Ndërprerje e shërbimeve jetike, duke përfshirë shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuara, përkujdesjen për fëmijët pa kujdes prindëror, si dhe ndërhyrjet në raste urgjente – trajtimin e rasteve personave me varësi të përdorimit të drogës;
Rritje e pasigurisë sociale për grupet më të ndjeshme të shoqërisë;
Dëmtim i besimit mes organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike, duke minuar partneritetet e ndërtuara ndër vite.
Sipas KOMF-it, ky mosveprim, bie ndesh me:
Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila garanton të drejtën për mbrojtje sociale dhe shërbime bazë për qytetarët;
Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare, i cili obligon institucionet publike të sigurojnë qasje të barabartë dhe të vazhdueshme në shërbime për grupet në nevojë;
Parimet e menaxhimit të mirë publik, që kërkojnë përmbushje të obligimeve financiare sipas kontratave të lidhura.
Organizata i bën thirrje pushtetit lokal në Gjilan që:
Urgjentisht të ekzekutojë pagesat e dakorduara, për të parandaluar ndërprerjen e shërbimeve dhe dëmtimin e drejtpërdrejtë të përfituesve;
Të sigurojë një plan të qartë dhe transparent për ekzekutimin e obligimeve financiare, duke informuar mbi afatet konkrete;
Të garantojë që praktika të tilla të mos përsëriten, duke forcuar mekanizmat e planifikimit buxhetor dhe zbatimit kontraktual.
KOMF rikujton se shërbimet sociale nuk mund të trajtohen si çështje dytësore buxhetore. Ato janë detyrim ligjor, moral dhe njerëzor.
The post KOMF i reagon Komunës së Gjilanit për mospagesën e organizatave që ofrojnë shërbime sociale appeared first on Klan Kosova.