Gjatë ditës së djeshme, në media u publikua një video ku shihej se si disa të mitura rrihnin një të mitur tjetër, bashkëmoshatare.
Rasti u tha se ka ndodhur në Gjilan.
Për këtë rast ka reaguar Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili u shpreh i tronditur dhe i shqetësuar thellë.
“Ky akt i papranueshëm dhune është një alarm serioz për gjithë shoqërinë, familjen si institucion, institucionet e rendit, arsimit dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve”, tha KOMF mes tjerash.
Sipas tyre, “dhuna ndaj të miturës nuk është thjesht një incident, por një dështim i shumëfishtë i gjithë sistemit, në parandalimin dhe adresimin e sjelljeve të rrezikshme që cenojnë dinjitetin dhe integritetin e fëmijëve, por edhe jetën, sigurinë dhe mirëqenien e tyre”.
KOMF tha se kjo ngjarje është e rëndë dhe shqetësuese në disa nivele, pasi siç u tha në reagim, “nuk kemi të bëjmë vetëm me një akt dhune ndaj fëmijëve, por me një shfaqje të hapur të dhunës që është filmuar dhe shoqëruar me kërcënime dhe tallje, çka e shton traumën për viktimën dhe e bën ngjarjen më alarmuese për shoqërinë”.
“Dhuna vazhdon të gjejë terren mes të rinjve e të rejave dhe vazhdon të normalizohet si sjellje, mes tyre. Sistemi i mbrojtjes së fëmijës, vazhdon të dështojë në ofrimin e shërbimeve dhe programeve prandaluese dhe nuk arrin të identifikojë shenjat e hershme të rrezikut të dhunës dhe ndërhyrjen në kohë. Dhuna me të gjithë elementët e shfaqur në pamjet e publikuara, gjuha e përdorur por edhe ekspozimi publik i videos dhe stigmës që mund të pasojë, mund të rëndojë edhe më tej gjendjen e viktimës dhe rrisë traumën”, u tha në reagimin e KOMF.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve pati disa thirrje:
- Aktivizim të menjëhershëm të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal, duke përfshirë Qendrën për Punë Sociale, shkollat dhe shërbimet e tjera psiko-sociale, për të mbrojtje e rehabilitim të viktimës dhe për të ofruar shërbime për të gjithë të miturat e përfshira.
- Ndërmarrjen e masave të menjëhershme nga institucionet, për të miturat e përfshira në ngjarje, sipas legjislacionit në fuqi.
- Vëmendje të menjëhershme dhe maksimale drejt themelimit të shërbimeve dhe programeve parandaluese ndaj dhunës mes bashkëmoshatarëve, përmes fuqizimit të familjes, edukimit në shkolla dhe intensifikimit të programeve kundër dhunës, mbështetjes për shëndetin mendor të të rinjve dhe ndërhyrjeve që promovojnë respektin, tolerancën dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.
- Përgjegjësi të përbashkët nga prindërit, komuniteti dhe institucionet, për të ndërtuar një mjedis të sigurt ku çdo fëmijë ndihet i mbrojtur.
“Dhuna nuk tolerohet! Ajo nuk është dhe nuk duhet të jetë pjesë e jetës së asnjë fëmije. Çdo rast i tillë duhet trajtuar me urgjencë dhe seriozitet maksimal, për të garantuar mbrojtje dhe parandalim të rasteve të ngjashme në të ardhmen”, tha Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF. /Klankosova.tv
The post KOMF: Dhuna ndaj të miturës, alarm për gjithë shoqërinë – fëmijët tanë po lëndohen appeared first on Klan Kosova.