E enjte, 11 Dhjetor, 2025
spot_img
HomeShowbizKomandanti i KFOR-it viziton Serbinë: Angazhimi i NATO-s ndaj rajonit është po...

Komandanti i KFOR-it viziton Serbinë: Angazhimi i NATO-s ndaj rajonit është po aq i fortë, i palëkundur, si gjithmonë

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutash ka zhvilluar një vizitë në Beograd, ndërkaq ka theksuar se angazhimi i NATO-s ndaj rajonit është po aq i fortë, i palëkundur, si gjithmonë.

Ulutash theksoi se siguria e Ballkanit Perëndimor lidhet ngushtë me sigurinë e Evropës dhe të gjithë zonës euro-atlantike.


“Jam i nderuar dhe i kënaqur që jam rikthyer në Beograd, gjatë mandatit tim të dytë si Komandant i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO… Jam veçanërisht mirënjohës ndaj Gjeneralit Mojsiloviq, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe, me të cilin tashmë kam zhvilluar një bashkëpunim të hapur dhe frytdhënës gjatë mandatit tim të parë si drejtues i KFOR-it. Pres me padurim ta takoj përsëri së shpejti”, citohet të ketë Ulutash, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Ulutash tutje ka thënë se komunikimet e rregullta dhe të hapura midis KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe janë jetike për të adresuar zhvillimet relevante dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm të eskalimit, në mënyrë të shpejtë, transparente dhe konstruktive.

“Në javët dhe muajt e ardhshëm, do të luaj rolin tim për të siguruar që të vazhdojmë të bëjmë përdorimin më të mirë të komunikimeve tona të rregullta. Për më shumë se 25 vjet, KFOR ka luajtur një rol të integruar dhe thelbësor në ruajtjen e paqes dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Angazhimi i NATO-s ndaj rajonit sot është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë. Kjo sepse siguria e këtij rajoni lidhet ngushtë me sigurinë e Evropës dhe të gjithë zonës euro-atlantike”, ka thënë Ulutash.

Komandanti i KFOR-it ka deklaruar tutje se KFOR është e përqendruar maksimalisht në zbatimin e mandatit të saj të gjatë të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

“…KFOR mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri, që nga ana tjetër ndihmon në krijimin e kushteve të nevojshme për dialog politik…”, thuhet tutje, gjersa bëhet e ditur se KFOR-i vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, si kornizë për adresimin e çështjeve të pazgjidhura, për të mirën e të gjithë njerëzve.

“Si Komandant i KFOR-it, nuk do të kursej përpjekjet për të siguruar që misioni ynë të mbetet një kontribuues i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën, por edhe për stabilitetin në rajon”, citohet të ketë thënë. /Telegrafi/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT