Kolla e madhe po rikthehet: rrezikon foshnjat dhe mund të jetë fatale

Kolla e madhe po rikthehet: rrezikon foshnjat dhe mund të jetë fatale

Simptomat e kollës së madhe tek foshnjat ndryshojnë nga ato tek fëmijët më të rritur. Edhe pse kollitja karakteristike mund të mungojë, apnea, ndalimi i përkohshëm i frymëmarrjes, është shumë e zakonshme.

Sipas pediatërve, rastet e kollës së madhe (pertusis) janë në rritje, duke e tejkaluar nivelin e para pandemisë së COVID-19. Ndërsa tek të rriturit apo fëmijët më të mëdhenj ajo mund të jetë thjesht e bezdisshme dhe të zgjasë me muaj, tek foshnjat nën dy muaj mund të jetë kërcënuese për jetën, dhe shumica e tyre përfundojnë në spital.


Në një artikull të botuar në revistën Pediatrics, ekspertët theksojnë rëndësinë e vaksinimit gjatë shtatzënisë, si mbrojtja më efektive për foshnjat.

“Simptomat e kollës së madhe tek të vegjlit shpesh janë ndryshe – kolla klasike mund të mungojë, por ndalimet e frymëmarrjes (apneja) janë të zakonshme”, shpjegon autorja kryesore, Dr. Caitlin Li, specialiste e sëmundjeve infektive në Spitalin e Fëmijëve Ann & Robert H. Lurie dhe profesoreshë e pediatrisë në Northwestern University Feinberg School of Medicine, transmeton Telegrafi.

Shenjat paralajmëruese tek foshnjat

Përveç vështirësive në frymëmarrje, mjekët vërejnë se tek foshnjat me pertusis shfaqet shpesh rritje e madhe e qelizave të bardha të gjakut (leukocitozë).

Ky tregues mund të ngatërrohet me sëmundje të tjera, madje edhe me leucemi, prandaj ekspertët paralajmërojnë që numri shumë i lartë i leukociteve duhet të ngrejë dyshimin për kollë të madhe.

Vaksinimi, mburoja më e mirë

Për shkak të rrezikut të lartë të komplikimeve, vaksinimi i nënave gjatë shtatzënisë është jetik – mbron nënën dhe në të njëjtën kohë siguron imunitet pasiv për foshnjën gjatë muajve të parë të jetës.

Dr. Li thekson se vaksinimi masiv mbetet mënyra më e efektshme për të parandaluar vdekjet që lidhen me pertusisin.

Sipas Centrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vaksina kundër pertusisit duhet të jepet në pesë faza të fëmijërisë: në muajt 2, 4, 6, pastaj në 15–18 muaj dhe 4–6 vjeç.

Dozat përforcuese rekomandohen në moshën 11–12 vjeç dhe sërish në 18 vjeç.

Gjithashtu, CDC rekomandon vaksinimin universal gjatë shtatzënisë, më së miri midis javës së 27-të dhe 36-të të gestacionit.

telegrafi.com

Terapia me antibiotikë

Ekspertët theksojnë se trajtim i hershëm me antibiotikë është thelbësor për të gjithë pacientët me pertusis të dyshuar ose të konfirmuar.

Nëse mjekimi fillon në fazat e para, mund të zbusë simptomat dhe të ulë transmetimin e sëmundjes. Në rastet më të avancuara, edhe pse antibiotikët mund të mos ndikojnë shumë në intensitetin e simptomave, ata mbeten të rëndësishëm për të parandaluar përhapjen. /Telegrafi/