Besim Kodra, përfaqësues i Shoqatës së Pacientëve, ka folur për fushatën që po zhvillohet në kuadër të muajit tetor, i cili është muaji ndërkombëtar i kancerit të gjirit.
Në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova, ai tha se tetori i shtyn njerëzit të reflektojnë për këtë çështje.
“E para, mund të themi se ky muaj ka diçka pozitive, sepse aktualizon këtë temë dhe i bën njerëzit të kuptojnë se është shumë e rëndësishme preventiva, më shumë sesa trajtimi i sëmundjes. Megjithatë, si i gjithë sistemi i shëndetësisë, edhe kjo pjesë ka mangësi,” tha Kodra.
Ai shtoi se vendi ynë nuk ka një program të rregullt skriningu për kancerin e gjirit, ndërkohë që në kushte normale do të duhej të kishte më shumë skriningje.
“Identifikimi në faza të hershme i kësaj sëmundjeje do të mbrojë shëndetin e qytetarëve, por edhe do të ulë kostot për shtetin,” përfundoi ai. /Klankosova.tv
The post Kodra: Tetori nxit ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe rëndësinë e prevenimit (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.