E shtunë, 14 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmehttps://klankosova.tv/koci-disa-police-te-kosoves-permenden-si-deshmitare-nga-serbia-ne-rastin-e-arbnor-spahiut/Koci: Disa policë të Kosovës përmenden si dëshmitarë nga Serbia në rastin...

https://klankosova.tv/koci-disa-police-te-kosoves-permenden-si-deshmitare-nga-serbia-ne-rastin-e-arbnor-spahiut/Koci: Disa policë të Kosovës përmenden si dëshmitarë nga Serbia në rastin e Arbnor Spahiut – Klan Kosova

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, dyshohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë në Banjskë” – ku një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku – tha avokati i angazhuar nga familja e Spahiut, Arianit Koci, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se si dëshmitarë në rastin e Spahiut, i akuzuar konkretisht për vrasjen e tre sulmuesve serbë që u përleshën me Policinë e Kosovës në fshatin që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, përmenden disa zyrtarë policorë kosovarë.

Koci tha se mbrojtja tashmë ka dorëzuar ankesën ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor.

Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikëkalimin kufitar Hungari–Serbi, ndërsa po udhëtonte me familjen nga Gjermania për në Kosovë. Sipas Kocit, kjo ishte hera e parë që Spahiu ka kaluar nëpër Serbi.

Spahiu aktualisht po mbahet në qendrën e paraburgimit në Suboticë, dhe “është mirë dhe është vizituar nga mjeku”.

Koci ka qëndruar këtë javë në Serbi, por nuk e ka takuar Arbnor Spahiun, pasi nuk është i licencuar për të ushtruar avokatinë atje. Ai tha se, deri më tani, Spahiu është vizituar vetëm nga avokati serb, i caktuar sipas detyrës zyrtare, si dhe nga daja i tij, por nuk ka pasur komunikim me familjarë të tjerë.

Sipas Kocit, kallëzimin penal ndaj Spahiut e ka ndërtuar Agjencia serbe e Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), sipas së cilës ish-polici i Kosovës ishte “snjaperist në këtë operacion”.

“Ai snajperin kurrë nuk e ka prekur me dorë, dhe ka qenë shumë i ri në Njësitin Special, dhe pas një kohe të shkurtër është larguar nga Policia, dhe ka shkuar në Gjermani”, tha Koci për REL-in.

Largimin e tij në vitin 2022 nga Policia e kishte konfirmuar më herët për REL-in edhe Policia e Kosovës.

Sipas Kocit, kallëzimi penal ndaj Spahiut është i shkurtër dhe i paarsyetuar.

Ai shtoi se presin që të miratohet ankesa e paraqitur si mbrojtje, në bashkëpunim me avokatin serb, të caktuar sipas detyrës zyrtare. Koci tha se “kjo ka vetëm konotacion politik”.

“Përmenden emrat e pesë-gjashtë personave, të cilët në këtë fazë konsiderohen si dëshmitarë – ata janë të gjithë ish-kolegë të Arbnorit në Polici, të cilët janë në Kosovë”, tha Koci.

The post Koci: Disa policë të Kosovës përmenden si dëshmitarë nga Serbia në rastin e Arbnor Spahiut appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT