Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka apeluar që raportimi për ngjarje tragjike të bëhet me kujdes, ndjeshmëri dhe profesionalizëm.
Në një komunikatë për media, Këshilli thekson se vetëm kur ka interes të lartë publik, mediat duhet të raportojnë për raste të tilla, duke shmangur qasjen sensacionaliste.
“Kujdesi ndaj të prekurve nga tragjedia duhet të nënkuptojë mirëkuptim, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion,” thuhet në deklaratën e KMSHK-së.
Këshilli kërkon që fotografitë, videot dhe incizimet e viktimave të aksidenteve, dhunës, veprave penale apo fatkeqësive natyrore të mos publikohen pa mbuluar identitetin ose trupin e tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët.
“Publikimi i materialeve të tilla konsiderohet fyerje për ndjenjat e familjarëve dhe i ndjeshëm për publikun,” theksohet në apel.
Në të njëjtën linjë, edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka reaguar pas publikimeve të fundit që lidhen me një aksident tragjik në Pejë, ku disa media kanë transmetuar pamje dhe reagime emocionale të familjarëve në momente dhimbjeje.
“Publikimi i pamjeve të ndjeshme pa pëlqimin e familjes përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Mediat duhet të ndalojnë menjëherë shpërndarjen e materialeve të tilla dhe të largojnë ato që tashmë janë publikuar pa autorizim,” ka theksuar AIP.
Agjencia ritheksoi se edhe personat publikë gëzojnë të drejtën për privatësi, sidomos në momente dhimbjeje personale dhe familjare.
Të dy institucionet kërkuan nga mediat që të tregojnë empati, vetëpërmbajtje dhe respekt për viktimat e tragjedive dhe familjarët e tyre, duke vendosur paralajmërime për përmbajtje të papërshtatshme dhe duke shmangur çdo formë sensacionalizmi.