Sulmuesi i Anglisë, Ivan Toney, ka deklaruar se Liga Profesionale Saudite është “krah për krah” me Ligën Premier për nga cilësia. Sipas tij, skuadra e tij aktuale, Al-Ahli, do të ishte në gjendje të rivalizonte për vendet e para në kampionatin anglez.
Toney, i cili u transferua nga Brentford te Al-Ahli gjatë verës së kaluar, ka pasur një ndikim të madh në futbollin saudit. Ai ka fituar Ligën e Kampionëve të Azisë dhe ka shënuar plot 35 gola që kur iu bashkua ekipit.
Megjithatë, pavarësisht formës së shkëlqyer, përzgjedhësi Thomas Tuchel nuk e ka thirrur për ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës, duke lënë pezull pjesëmarrjen e tij në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm në SHBA.
Ivan Toney në aksion me Anglinë
Liga Saudite ka qenë shpesh në shënjestër të kritikave, sidomos pas afatit kalimtar të verës 2023, kur tërhoqi emra të mëdhenj të futbollit botëror si Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Neymar, përmes investimeve të mëdha financiare. Por Toney i ka hedhur poshtë këto kritika, duke e cilësuar kampionatin saudit si një ligë të fortë dhe të respektueshme.
“Për mua, liga saudite është në të njëjtin nivel me Ligën Premier. Nëse Al-Ahli do të luante në Ligën Premier, jam i bindur se do të ishim afër katër ekipeve të para. Është një ligë cilësore dhe njerëzit nuk duhet ta nënvlerësojnë”, tha ai për The Guardian.
Këto pretendime Toney i mbështet edhe me faktin se Al-Ahli ka në përbërje emra të njohur të futbollit botëror. Mes shokëve të tij të skuadrës janë Riyad Mahrez, Edouard Mendy, Franck Kessié dhe deri këtë verë edhe Roberto Firmino.
Për të forcuar argumentin e tij, Toney solli shembullin e fitores së Al-Hilal ndaj Manchester Cityt në Kupën e Botës për Klube, ku skuadra saudite triumfoi 4-3 pas një përmbysjeje spektakolare. Në atë ndeshje, për Al-Hilalin luajtën edhe ish-yje të Ligës Premier si Joao Cancelo, Kalidou Koulibaly dhe Ruben Neves.
Ivan Toney te Al-Ahli
“Doja të shkruaja diçka në Twitter atë natë, por do të më kishin ‘kryqëzuar’ në shtëpi, ndaj heshta. Por kushdo që pa ndeshjen, e kuptoi cilësinë e Al-Hilalit. Standardi këtu është i lartë. Ndoshta lojtarët nuk janë aq të famshëm sa ata të Ligës Premier, por shumë prej tyre kanë nivelin për të luajtur atje”, deklaroi Toney. /Telegrafi/