Klinika e Pediatrisë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka pranuar një donacion për fëmijët e shtrirë në këtë klinikë, nga Kids Zone Kosova – Jumbo.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se donacioni përfshin pajisje për Repartin Intenziv të Klinikës së Pediatrisë e cila përmban katetera venoz qendror dhe periferik në vlerë prej dhjetë mijë eurove.
“Si dhe material didaktik për Shërbimin e Logopedisë në vlerë prej një mijë eurove, duke kontribuar në përmirësimin e mirëqenies së tyre psikologjike dhe fizike”, thuhet në postim.
Tutje bëhet e ditur se ud.drejtori i QKUK-së, Mentor Zejnullahu, falënderoi donatorët për këtë kontribut human dhe të mirëpritur, duke theksuar rëndësinë që kanë këto ndihma për pacientët më të vegjël në një fazë të ndjeshme të jetës së tyre.
“Ky donacion është një gjest i madh solidariteti. Fëmijët tanë meritojnë kujdesin dhe përkrahjen më të mirë të mundshme, dhe çdo ndihmë që vjen në këtë drejtim është e çmuar. Falënderojmë donatorët për përkushtimin dhe ndjeshmërinë e treguar ndaj këtyre fëmijëve”, tha drejtori i QKUK-së.
Stafi i Klinikës së Pediatrisë, prindërit dhe vetë fëmijët kanë shprehur mirënjohje për këtë nismë, e cila vjen si shembull i mirë i bashkëpunimit ndërmjet komunitetit dhe institucioneve shëndetësore.