Me siguri disa prej jush këto ditë keni provuar ta vendosni kondicionerin në mënyrën e ngrohjes, por nuk keni arritur ta bëni. Dhe tani pyesni veten pse ndodh kjo. Me disa këshilla të mjeshtërve të kondicionerëve, do ta zgjidhni këtë problem shpejt dhe lehtë
Jemi dëshmitarë të një rënieje të menjëhershme të temperaturës, ndaj shumëkush u detyrua për herë të parë këtë sezon ta ndezë klimën për ngrohje. Pajisjet që na shpëtuan nga vapa në verë, tani duhet të na ngrohin, por edhe këtu lind një pengesë. Shumë përdorues ankohen se nuk munden ta kalojnë “programin” nga ftohja në ngrohje. Nëse nuk e dini si ta vendosni kondicionerin të ngrohë, ja disa këshilla të dobishme.
Si ta vendosni klimën në mënyrën e ngrohjes
Në çdo telekomandë ekziston butoni MODE.
Duke shtypur këtë buton, kërkoni opsionin HEAT (ngrohje). Në disa pajisje, kjo shfaqet në ekran si ikona e diellit ose me mbishkrimin HEAT. Sigurohuni që shigjeta treguese të jetë e drejtuar tek “HEAT”.
Hapi tjetër: vendosja e temperaturës.
Këshillohet që temperatura në telekomandë të caktohet dy gradë më e lartë se ajo që dëshironi në dhomë. Nëse dëshironi që temperatura në ambient të jetë 24°C, atëherë vendoseni në 26°C, sepse njësia e brendshme mat nxehtësinë pranë vetes, ku zakonisht është rreth dy gradë më e lartë se në pjesën tjetër të dhomës.
Nuk rekomandohet që, ndërsa kondicioneri është në punë, të ndryshoni opsionin nga ftohja në ngrohje, këtë duhet ta bëni para ndezjes së pajisjes. Ndërkohë, ndryshimi i temperaturës mund të bëhet lirshëm gjatë funksionimit.
Pasi ta ndizni, klimës i duhen rreth 2 deri në 10 minuta që të fillojë të lëshojë ajër të ngrohtë.
Shpejtësinë e fryrjes së ajrit mund ta rregulloni me butonin FAN SPEED në telekomandë. Në shumicën e pajisjeve ekzistojnë tre ose katër nivele të shpejtësisë.
Rekomandohet shpejtësia e parë (LOW), sepse ventilatori rrotullohet më ngadalë dhe ajri qëndron më gjatë në përpunuesin e njësisë së brendshme, duke u ngrohur më mirë, transmeton Telegrafi.
Çfarë të bëni nëse kondicioneri sërish nuk kalon në ngrohje
Nëse pas të gjitha këtyre hapave pajisja ende nuk kalon në ngrohje, duhet ta rindizni.
Në rast se nuk është bërë shërbimi vjetor i kondicionerit, mund të ndodhë që pajisja të mos ndizet fare ose të shfaqë një mesazh gabimi në ekran. Në këtë rast, rindezja është e domosdoshme.
Si të bëni rindezjen e kondicionerit
Së pari, fikeni klimën përmes telekomandës dhe pastaj nxirrni kabllon nga priza. Lëreni jashtë prizës për disa minuta, pastaj lidheni sërish me rrymën.
Pastaj afrohuni te njësia e brendshme dhe ngrini kapakun. Në anën e djathtë ose të majtë poshtë, zakonisht ndodhet një buton i vogël për rindezje.
Mbajeni të shtypur për rreth dhjetë sekonda dhe më pas lëshojeni.
Kondicioneri duhet të jetë tashmë i rindezur. Ndizeni përmes telekomandës dhe vendoseni në mënyrën e ngrohjes. /Telegrafi/