Në një nga ndeshjet më të bukura të këtij sezoni në elitën e futbollit vendor, Struga Trim&Lum arriti fitore të madhe në transfertë ndaj Sileksit me rezultat 1-3, në kuadër të javës së shtatë të kampionatit të Maqedeonisë, njofton Telegrafi. Ekipi i Strugës, me këtë fitore, u ngjitën në krye të renditjes, me pikë të barabarta me Vardarin, duke dëshmuar edhe një herë se janë ndër favoritët kryesorë për titullin.
Ndeshja në stadiumin e Kratovës solli lojë të fortë dhe të hapur që nga fillimi. Struga kaloi herët në epërsi me golin e Kompaore, i cili realizoi të tetin gol sezonal pas vetëm shtatë ndeshjesh. Bukuria e takimit u vulos në minutën e 34-të, kur Hamza Memedriza realizoi një perlë nga goditja e lirë, duke dyfishuar epërsinë për struganët. Sileksi reagoi shpejt dhe ngushtoi diferencën me një gol të bukur të Hrvanoviqit, por pjesa e parë përfundoi 1-2.
Edhe në pjesën e dytë vendasit kërcënuan disa herë portën e Anxheletit, por Struga rezistoi dhe shfrytëzoi hapësirat në kundërsulme. Në minutat shtesë doli në skenë i riu Shaban Zenku, i cili me një goditje të fuqishme vulosi fitoren 1-3, duke shënuar edhe golin e tij të parë në elitë.
Falë këtij triumfi, Struga jo vetëm që ruajti ecurinë pozitive, por mori edhe kreun e tabelës, duke treguar forcën e saj si një skuadër e kompletuar dhe e gatshme për synime të mëdha.
Ndërkohë, në Strumicë, Arsimi pësoi sërish. Pavarësisht se kaloi në epërsi ndaj Brera Strumicës, skuadra nga Çegrani u mund me rezultat 2-1, duke mbetur në zonën e fundit të tabelës dhe duke konfirmuar formën e dobët në këtë fillimsezon. Java e shtatë kopmpletohet nesër me ndeshjen Pelisteri – Bashkimi. /Telegrafi/
Rezultatet:
Shkupi vs Makedonija Gj.P 0-2
Shkëndija vs Tikveshi 1-0
Vardari vs Rabotniçki 3-1
AP Brera vs Arsimi 2-1
Sileksi vs Struga 1-3