Kjo është historia e mrekullueshme e klubit që u bë i pari që siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm

Kjo është historia e mrekullueshme e klubit që u bë i pari që siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm

Edhe pse fazat e garave të klubeve evropiane për këtë sezon sapo kanë nisur, disa nga skuadrat që do të marrin pjesë në Evropë për sezonin 2026/27 tashmë janë bërë të njohura. Arsyeja për këtë qëndron te kalendari specifik i disa kampionateve veriore evropiane, të cilat zhvillohen brenda një viti të vetëm kalendarik — duke filluar në muajt e parë dhe përfunduar në fund të vitit.

Kështu, fundjavën e kaluar, Ishujt Faroe u bënë anëtari i parë i UEFA-s që shpalli kampionin e ri për sezonin aktual. Dy xhiro para fundit të kampionatit, titullin e siguroi KI Klaksvik, një klub nga qyteti me të njëjtin emër, me vetëm 5,000 banorë — qyteti i dytë më i madh në Ishujt Faroe.


Një klub që po frymëzon gjithë Evropën

Me këtë titull të ri, Klaksvik është sërish në qendër të vëmendjes në mbarë Evropën. Klubi u bë i njohur dy vjet më parë, kur shkroi histori për vendin e tij me vetëm 55,000 banorë, duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës së Evropës. Tani, ata synojnë ta përsërisin ose ta tejkalojnë atë sukses.

sezonin 2023/24, KI Klaksvik ishte një nga senzasionet më të mëdha të futbollit evropian. Klubi eliminoi gjigantët Ferencvaros nga Hungaria dhe Hacken nga Suedia në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, për t’u ndalur më pas nga Molde e Norvegjisë dhe Sheriff Tiraspol i Moldavisë në raundet pasuese.

Megjithatë, kjo performancë i mjaftoi për t’u kualifikuar në grupet e Ligës së Konferencës.

Atje, faroezët treguan shpirt garues: fituan 3-0 ndaj Olimpija Ljubljana dhe barazuan 0-0 kundër Lille të Francës. Në gjithë sezonin evropian, vetëm Slovan Bratislava arriti t’i mundte në shtëpi.

Nga liga e dytë deri në Evropë

Sukseset e sotme duken edhe më të mëdha kur kujton se Klaksvik fitoi titullin e parë pas 20 vitesh pritje në vitin 2019, ndërsa në vitin 2009 kishte rënë në kategorinë e dytë. Pika e kthesës erdhi në vitin 2015, me emërimin e trajnerit Mikkjal Thomassen, i cili solli profesionalizëm të ri dhe ndihmoi në zhvillimin e futbollit lokal.

Investimet nga klubi dhe Komuna e Klaksvikut ngritën nivelin e punës me të rinjtë, të cilët më pas u bënë shtylla të ekipit kombëtar.

Madje, edhe pas largimit të Thomassen në vitin 2022 drejt Frederikstadit në Norvegji, klubi nuk u lëkund. Në krye erdhi ish-reprezentuesi norvegjez Magne Hoseth, nën drejtimin e të cilit Klaksvik shkroi historinë e pjesëmarrjes në fazën e grupeve të Evropës. Hoseth gjeti ekuilibrin perfekt mes lojtarëve me përvojë, talenteve të rinj vendas dhe disa të huajve cilësorë.

vitin 2024, Hoseth u largua, ndërsa titulli i këtij viti mban firmën e trajnerit suedez Magnus Powell.

Një tjetër shans për sukses evropian

Sezoni i kaluar nuk ishte pa zhgënjime për Klaksvikun. Në raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve, ata u eliminuan fillimisht nga Differdange 03 i Luksemburgut dhe më pas nga Malmo i Suedisë, pavarësisht një fitoreje 3-2 në shtëpi. Në vazhdim, Borac Banja Luka i eliminoi nga Liga e Evropës pas kohës shtesë, ndërsa HJK Helsinki i ndali në “play-off” të Ligës së Konferencës me rezultatin total 4-3.

Këto përvoja e lodhën ekipin, ndërsa kampionati vendor përfundoi në duart e Vikingur. Megjithatë, këtë sezon, Klaksvik u rikthye më i fortë, siguroi sërish titullin dhe, për rrjedhojë, garon për një tjetër aventurë evropiane në 2026.

Sporti në Ishujt Faroe po lulëzon

Drejtori teknik i Federatës së Futbollit të Ishujve Faroe, Peatur Clementsen, kishte treguar para dy vitesh se po zhvillohet sporti në ishull.

Futbolli faroez po lulëzon. Sot kemi arritur një rekord prej 7,200 lojtarësh të regjistruar — më shumë se 13% e popullsisë sonë. Organizojmë gara për çdo moshë, nga fëmijët nën 7 vjeç deri te ata mbi 60, dhe po investojmë fort në zhvillimin e trajnerëve dhe departamentit teknik”, deklaroi ai.

Kjo punë po jep fryt. Kombëtarja e Faroeve ka arritur rezultate të admirueshme kohët e fundit, duke vështirësuar edhe kundërshtarë të mëdhenj si Kroacia, të cilën e mbajti në rezultat minimal 1-0 muajin e kaluar.

Përveç futbollit, edhe hendbolli është në ngritje: kombëtarja e meshkujve do të marrë pjesë për herë të dytë radhazi në Kampionatin Evropian, pasi fitoi grupin kualifikues, ndërsa ekipi U-21 zuri vendin e tretë në Kampionatin Botëror 2025. /Telegrafi/