“Kishte përgatitur një orë fjalim”, Berisha: Ramën e detyruan të mos marrë pjesë në protestën në mbështetje të UÇK-së

“Kishte përgatitur një orë fjalim”, Berisha: Ramën e detyruan të mos marrë pjesë në protestën në mbështetje të UÇK-së

Edi Ramën e detyruan të mos marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare që do të zhvillohet në Tiranë në mbështetje të UÇK-së. Kështu u shpreh kreu demokrat, Sali Berisha në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, sipas të cilit kreu i qeverisë kishte përgatitur një orë fjalim, por e detyruan të tërhiqej.

“Rama nuk do të marrë pjesë. E detyruan të mos marrë pjesë. Nuk e them kush. E detyruan dhe të jeni të sigurt kishte përgatitur fjalim një orë. E detyruan të tërhiqej, kishte përgatitur një fjalim të gjatë tani ka kaluar në stilin e kubanëve”, tha Berisha.


Teksa shprehu mbështetjen ndaj ish-udhëheqësve politikë të Kosovës, Berisha theksoi se Rama i dëmton më shumë luftëtarët e UÇK-së, ndërsa tha se është kundër ndërhyrjeve në punët e brendshme të Kosovës

“Edi Rama i dëmton shumë ata se është një personalitet i damkosur tanimë. E keni marrë vesh, i damkosur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Dhe ta shohin atë gjykatësit se ky po u del zot, absolutisht i rëndon. Të dalë Taulant Balla, i cili i ka rekordet e zeza në të gjitha kancelaritë, dhe të flasë për luftëtarët e lirisë, i dëmton. Po, normale, luftëtarët e UÇK dhe qytetarët e tjerë janë të lirë të organizojnë çfarë të mendojnë. Por Edi Rama ka faktuar se është një armik i egër i Kosovës. Ju kujtohet ju projekti për ndarjen e kufijve? Ky ka qenë promotor kryesor. Ju kujtohet ju Ballkani i Hapur kur Kosovën e futën në hartën e Serbisë? Ky ka qenë autori kryesor. Ju kujtohen sanksionet që i vu Albin Kurtit? Ky ka qenë. Ju kujtohet fluturimi i tij, mblodhi Batonët e Kosovës për të rrëzuar qeverinë? Ky ka qenë. Ju kujtohen fjalimet e tij kundër kryeministrit të Kosovës? Ky është. Edhe këtë e ka kundër tij. Ne nuk jemi që të ndërhyjmë në punët e brendshme të Kosovës. Dua të shpreh mbështetjen time të plotë për ish-udhëheqjen politike të Kosovës në Hagë, për të cilën nuk kam parë deri tani asnjë provë të vetme inkriminuese”. /A2cnn/