Kirurgu nuk mund ta besonte atë që pa: Gavi kishte dëmtim të rëndë, përballet me një pushim të gjatë

Kirurgu nuk mund ta besonte atë që pa: Gavi kishte dëmtim të rëndë, përballet me një pushim të gjatë

Barcelona ka konfirmuar se mesfushori i saj i talentuar Pablo Paez Gavira – Gavi (21 vjeç), do të mungojë për katër deri në pesë muaj, pasi iu nënshtrua një operacioni artroskopik në gjurin e djathtë.

Ekipi mjekësor katalanas vendosi të qepte meniskun medial të dëmtuar, duke synuar të ruajë strukturën natyrale të gjurit, por kjo procedurë e zgjedhur nënkupton një proces rikuperimi më të gjatë se sa pritej fillimisht.


Sipas raportimeve të AS, kirurgu që kreu operacionin mbeti i habitur nga gjendja e gjurit të Gavit, pasi zbuloi se të dy kërcet ishin të dëmtuara.

Ky është një lajm i hidhur për klubin dhe për lojtarin, i cili tashmë ka kaluar përvoja të rënda me lëndime. Kujtojmë se në nëntor 2023, Gavi pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior, duke humbur pothuajse të gjithë sezonin e kaluar.

Dëmtimi aktual vë në pikëpyetje jo vetëm sezonin e tij me Barcelonën, por edhe pjesëmarrjen e mundshme me Kombëtaren e Spanjës në Kupën e Botës 2026, pasi rikthimi i tij do të varet nga shpejtësia dhe cilësia e rehabilitimit.

Gavi iu bashkua akademisë së Barcelonës në vitin 2015 nga Real Betis dhe që nga 2021 është bërë një pjesë e pandashme e ekipit të parë. Megjithatë, seria e dëmtimeve serioze ka penguar deri tani zhvillimin e plotë të këtij talenti të madh, i cili mbetet ende shumë i ri dhe me potencial të jashtëzakonshëm. /Telegrafi/