Autoritetet kineze shprehin shpresën se Shtetet e Bashkuara nuk do të nisin një konflikt ushtarak me Iranin, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.
“Shpresojmë që të gjitha palët t’i japin përparësi paqes, të ushtrojnë përmbajtje dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut”, tha ajo në një konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse Pekini do ta mbështeste Teheranin në rast të një sulmi të SHBA-së ndaj Iranit.
Diplomatja kineze shtoi se Kina është “e gatshme të vazhdojë të veprojë si një fuqi e madhe e përgjegjshme” në situatën aktuale. Sipas saj, autoritetet kineze po monitorojnë nga afër zhvillimet në lidhje me Iranin.
“Kina vazhdimisht mbështet zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes kanaleve politike dhe diplomatike. Ne kundërshtojmë përdorimin e forcës ose kërcënimin e forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Mao Ning, shkruan Euronews.al.
Zëdhënësja vuri në dukje gjithashtu se Kina tradicionalisht mban marrëdhënie miqësore me Iranin. “Kina mbështet qeverinë dhe popullin iranian në ruajtjen e stabilitetit kombëtar dhe në mbështetjen e të drejtave dhe interesave të tyre legjitime”, përfundoi ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


