Kim Kardashian në lot: Dikush afër meje urdhëroi vrasjen time

Kim Kardashian në lot: Dikush afër meje urdhëroi vrasjen time

Kim Kardashian ka zbuluar një tjetër përvojë tronditëse, të cilën e ndau në trailerin e sezonit të shtatë të reality show-t The Kardashians. Në pamjet e publikuara më 1 tetor, ajo tregoi një informacion shokues që i ishte komunikuar nga hetuesit e saj privatë.

“Kam marrë një telefonatë nga një hetues”, shprehet Kim në një moment dramatik. “Dikush shumë i afërt me mua kishte porositur vrasjen time.”


Pas këtij zbulimi, traileri tregon reagimet e familjes ndaj lajmit të frikshëm. “Të gjithë jemi në ankth”, dëgjohet Kendall Jenner, ndërsa motra më e vogël, Kylie, thotë: “Kam dëgjuar hapa duke hyrë në dhomën time.” Atmosfera bëhet edhe më e tensionuar me tinguj sirenash dhe me mbërritjen e policisë në rezidencën e Kardashianëve.

Foto: Instagram

“Jam tmerrësisht e frikësuar”, shton Kim, e më pas shfaqet duke qarë: “Jam e lumtur që kjo ka marrë fund.”

Përveç kësaj drame, sezoni i ri do të trajtojë edhe raportet e tensionuara mes Khloe dhe Kourtney Kardashian. “Mendoj që Kourtney është e zemëruar me mua. Këto ditë ajo nuk thotë asgjë të mirë për mua,” rrëfen Khloe. Ndërkohë, Kourtney ndien “negativitet” nga motra e saj, duke e pyetur në një skenë: “A je shtrirë në shtrat duke ‘doomscrolluar’?”

Megjithëse kërcënimi ndaj Kim do të jetë në qendër të vëmendjes, episodat e reja do të kthehen edhe tek ngjarja e bujshme e vitit 2016 – grabitja e saj në Paris. Në një moment, Kris Jenner e pyet vajzën: “A mendon se duhet të shkojmë në gjyq me gjithë këta diamante?” Kim i përgjigjet prerë: “Dua të jem ajo që dua të jem”.

– YouTube youtu.be

Procesi gjyqësor, i mbajtur në maj të këtij viti, përfundoi me dënimin e tetë prej dhjetë të akuzuarve. “Jam thellësisht mirënjohëse autoriteteve franceze që sollën drejtësi. Ky krim ishte përvoja më e tmerrshme e jetës sime, duke lënë pasoja të mëdha tek unë dhe familja ime,” tha Kim për NBC News pas vendimit.

Ngjarja e vitit 2016, kur ajo u lidh dhe iu kërcënua me armë, e ndryshoi atë përgjithmonë. “Mendova se gjithçka mori fund. Ose do më qëllonin, ose nëse mbijetoja, nuk kishte rrugëdalje,” kishte rrëfyer ajo në episodet e mëhershme.

Në vitin 2020, në një intervistë me David Letterman, Kim kujtoi momentet më të rënda: “Më kapi dhe më tërhoqi fort. Nuk kisha asgjë veshur poshtë dhe mendova, ‘Kaq është, do të më përdhunojë, më duhet të pajtohem me këtë’”.

Foto: Instagram

Kim ka treguar shpesh se kjo përvojë e ka transformuar. “E di që tingëllon çmenduri, por mendoj se duhej të ndodhte me mua. Jam krejt një person tjetër,” tha ajo për Ellen DeGeneres në vitin 2017. “Më parë isha materialiste… tani nuk më interesojnë më ato gjëra. Nuk jam më ajo”.

Grabitja ndryshoi edhe qasjen e saj ndaj sigurisë. Për vite të tëra ajo nuk mbante bizhuteri dhe shmangte rikthimin në Paris. Vetëm në qershor 2018 vizitoi përsëri qytetin.

“Të dhjetë minutat e asaj ngjarjeje ndryshuan krejt jetën time”, ka pohuar ajo, duke e cilësuar grabitjen si “gjënë më të frikshme” që i ka ndodhur ndonjëherë. Episodet e reja të The Kardashians duket se do të vijojnë të shpalosin sfidat e saj me kërcënimet e së shkuarës dhe të tashmes. /Telegrafi/