Kim Kardashian dhe e ëma e saj, Kris Jenner, kanë ngritur një padi për shpifje kundër reperit dhe sipërmarrësit Ray J, ish-partnerit të Kim-it. Sipas revistës People, padia erdhi pas deklaratave publike të Ray J, i cili pretendoi se nëna dhe e bija janë objekt i një hetimi federal për reket. Ky është hera e parë që Kim dhe Kris i drejtohen gjykatës për një çështje shpifjeje.
Avokati i tyre, Alex Spiro, konfirmoi më 1 tetor se padia është dorëzuar dhe theksoi se akuzat e Ray J i kanë detyruar të ndërmarrin veprim ligjor: “Kris Jenner dhe Kim Kardashian asnjëherë më parë nuk kanë ngritur padi për shpifje dhe zakonisht nuk shqetësohen nga thashethemet – por kjo akuzë e rreme dhe e rëndë nuk u la asnjë zgjedhje tjetër”, tha Spiro.
Në padi përmenden dy raste të qarta të shpifjeve të pretenduara nga Ray J.
Foto: EPA
Rasti i parë lidhet me komentet e tij në dokumentarin United States vs. Sean Combs nga TMZ, ku ai deklaroi: “Nëse do të më thonin se Kardashianët janë të akuzuar për reket, ndoshta do ta besoja”.
Rasti i dytë ndodhi më 24 shtator, kur gjatë një transmetimi live në rrjetet sociale para “miliona ndjekësve”, Ray J pretendoi se kundër familjes Kardashian ishte hapur një hetim federal.
Avokati Spiro i cilësoi këto pretendime si “sjellje shpifëse nga më të këqijat”, duke theksuar se: “Nuk ekziston asnjë hetim i tillë federal; asnjë agjenci ligjzbatuese nuk ka hapur procedura apo hetime për reket ndaj znj. Kardashian ose znj. Jenner; dhe nuk ka asnjë provë të besueshme që mbështet këto akuza shpërthyese”.
– YouTube youtu.be
Në dokumente, Spiro shkruan se Ray J ka zhvilluar për më shumë se dy dekada një “fushatë të vazhdueshme ngacmimi dhe shpifjeje” kundër Kim dhe Kris: “I paaftë të pranojë fundin e lidhjes së tij të shkurtër me znj. Kardashian më shumë se 20 vite më parë, Ray J është përpjekur vazhdimisht të lidhet me emrat e paditëseve dhe të shfrytëzojë famën e tyre për përfitim personal”.
Ray J dhe Kim Kardashian kanë një të kaluar të stuhishme që nga ndarja e tyre në vitin 2005. Dy vite më vonë, në publik u shpërnda videoja e tyre intime, e xhiruar gjatë kohës që ishin në lidhje – një moment që e shënoi përgjithmonë emrin e Kim në mediat botërore.
Në vitin 2013, Ray J publikoi këngën I Hit It First, ku nënkuptonte marrëdhënien e saj me Kanye West, ndërsa në kopertinën e singlit përdori një foto të pikselizuar të Kim-it. Pesë vite më vonë, tabloidi britanik The Sun raportoi se Ray J kishte folur publikisht në Londër për detaje intime të marrëdhënies së tyre, gjë që bëri Kim-in ta quante atë në Twitter “gënjeshtar patologjik”. Ray J i mohoi ato zëra, duke reaguar në Instagram: “Këto janë thashetheme të rreme dhe të panevojshme! Familja ime është gjithçka që ka rëndësi. Ray J i vjetër ka vdekur. Unë jam një njeri i ri, me përgjegjësi dhe vlera morale”. /Telegrafi/