Kim Jong Un do t’i bashkohet Putinit në paradën ushtarake të Kinës

news image

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të marrë pjesë javën e ardhshme në një paradë ushtarake në Pekin, përkrah presidentit rus Vladimir Putin, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme e Kinës, duke e cilësuar këtë si një vizitë historike.

Kjo vjen vetëm disa ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se dëshironte të takonte Kimin, i cili rrallëherë bën vizita jashtë vendit, në një kohë kur Shtëpia e Bardhë po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, njofton BBC, transmeton Sinjali.

Parada e “Ditës së Fitores” së Kinës, më 3 shtator, do të shënojë 80-vjetorin e dorëzimit zyrtar të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore dhe përfundimin e konfliktit.

Ngjarja shihet si një fitore e rëndësishme diplomatike për liderin kinez, Xi Jinping, i cili ka shtyrë përpara idenë e një rendi të ri botëror të udhëhequr nga Pekini. Putin dhe Kim do të jenë mes 26 krerëve të shteteve që pritet të marrin pjesë në paradë. Kjo është hera e parë që një lider i Koresë së Veriut merr pjesë në një paradë ushtarake kineze që nga viti 1959.

Gjatë paradës, Kina pritet të shfaqë armatimin e saj më të ri, përfshirë qindra aeroplanë, tanke dhe sisteme kundër dronëve. Kjo do të jetë hera e parë që struktura e re e forcave të ushtrisë së saj do të prezantohet plotësisht në një paradë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/