Forcat ruse kanë goditur një autokolonë me ndihma të Kombeve të Bashkuara në rajonin ukrainas të Hersonit, që pjesërisht është i pushtuar nga Moska, tha Kievi më 14 tetor, duke shtuar se nuk ka viktima nga ky sulm.
Kreu i administratës rajonale ushtarake tha se dronët rusë dhe sulmet me artileri u kryen afër qytezës Billozerka, që gjendet në frontin e luftës.
“Pushtuesit me qëllim shënjestruan kamionë të organizatës OCHA të OKB-së me dronë dhe artileri”, shkroi në rrjetet sociale zyrtari lokal, Oleksandr Prokudin.
Ai tha se autokolona përbëhej nga katër makina dhe “një makinë u dogj krejtësisht, ndërkaq një tjetër është dëmtuar rëndë”, ndërkaq dy makinat e tjera i shpëtuan sulmit.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiga, e quajti sulmin “një tjetër shkelje brutale të ligjit ndërkombëtar, që dëshmon shpërfilljen totale të Rusisë ndaj jetës së civilëve dhe ndaj detyrimeve të saj ndërkombëtare”.
OKB-ja ende nuk ka komentuar për këtë incident dhe po ashtu nuk ka ndonjë reagim nga Moska.
Prokudin publikoi një fotografi që shfaqi një kamion të bardhë me emblemën e Programit Botëror të Ushqimit që ishte përfshirë nga zjarri.
Që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022, autoritetet ukrainase dhe grupet e ndihmës kanë thënë se stafi dhe ndërtesat e tyre janë bombarduar nga forcat e Moskës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!