Kievi është goditur nga një sulm ‘masiv’ rus – thotë kryebashkiaku Vitali Klitschko

Kievi është goditur nga një sulm 'masiv' rus - thotë kryebashkiaku Vitali Klitschko

Kryeqyteti ukrainas është përballur me një “sulm masiv” nga Rusia gjatë natës, tha kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.

Një ndërtesë pesëkatëshe u shkatërrua pjesërisht, theksoi ai. Të paktën tre persona ishin dërguar në spital.


Ministri i jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha bëri të ditur se qindra dronë dhe raketa ishin përdorur në valën e fundit të sulmeve në të gjithë vendin.

Rusia nuk ka komentuar lidhur me këto pretendime.

Të shtunën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Rusia nuk do të ndalet me vendin e tij – prandaj po teston mbrojtjen ajrore evropiane me inkursionet e fundit në disa vende që i përkasin aleancës ushtarake të NATO-s.

Presidenti rus Vladimir Putin nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe ka kundërshtuar përpjekjet ndërkombëtare – të udhëhequra nga homologu i tij amerikan Donald Trump – për t’i dhënë fund luftës.

“Putin nuk do të presë të përfundojë luftën e tij në Ukrainë. Ai do të hapë një drejtim tjetër. Askush nuk e di se ku. Ai e dëshiron këtë”, tha Zelensky.

Ai foli disa orë para se breshëria e fundit ruse të fillonte të godiste qytetet ukrainase. Detajet ende nuk dihen.

Në Poloninë fqinje, avionët u ngritën herët të dielën ndërsa Rusia goditi Ukrainën perëndimore, thanë forcat e armatosura polake.

Ushtria polake i përshkroi më tej veprimet – të cilat janë bërë rutinë që kur avionët polakë dhe të NATO-s rrëzuan tre dronë rusë në hapësirën ajrore të Polonisë më 10 shtator – si parandaluese.

Moska mohoi përgjegjësinë pasi Danimarka tha se dronë fluturuan mbi aeroportet e saj. Vetë Danimarka ka thënë se incidentet dukeshin të ishin vepër e një “aktori profesionist”, pa specifikuar se kush mund të ishte ky.

Estonia ka akuzuar Rusinë gjithashtu për shkelje të hapësirës së saj ajrore me avionë luftarakë.

Dhe pas inkursioneve, NATO nisi një mision për të forcuar krahun e saj lindor.

Trump ka shkuar aq larg sa ka thënë se vendet e NATO-s duhet të rrëzojnë fluturaket ruse në hapësirën e tyre ajrore.

Ai gjithashtu ndryshoi qëndrimin e tij për luftën Rusi-Ukrainë, duke thënë për herë të parë javën e kaluar se “Ukraina mund të fitonte të gjithë tokën e saj nga Moska”.

Në një fjalim të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të shtunën, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se vendi i tij nuk kishte ndërmend të sulmonte vendet anëtare të BE-së ose NATO-s, por paralajmëroi për një “përgjigje vendimtare” ndaj çdo “agresioni” të drejtuar ndaj Moskës. /Telegrafi/