KFOR shënon Ditën Ndërkombëtare: Kjo ditë pasqyron angazhimin e qëndrueshëm për gjithëpërfshirje, unitet e respekt

news image

Misioni paqeruajtës i KFOR-it, nën udhëheqjen e NATO-s, ka shënuar Ditën Ndërkombëtare me një ceremoni të veçantë në shtabin qendror në Prishtinë, duke mbledhur personelin ushtarak dhe civil nga 33 shtete kontribuuese, përfshirë aleatë dhe partnerë të NATO-s, si dhe stafin lokal me familjet e tyre.

Sipas postimit të misionit, ceremonia u zhvillua në Kampin Film City në Prishtinë dhe synoi të pasqyrojë diversitetin dhe bashkëpunimin midis kontingjenteve të ndryshme.

“Është një udhëtim që mund ta bësh pa hipur në avion – një shëtitje rreth botës që mund ta përjetojmë së bashku, këtu – tha gjeneral Barduani duke iu drejtuar pjesëmarrësve – në një ditë plot gëzim ku shpalosen pasioni, kulturat dhe traditat e shumë kontingjenteve dhe vendeve që përbëjnë KFOR-in.”

Dita Ndërkombëtare reflekton angazhimin e KFOR-it për gjithëpërfshirje, unitet dhe respekt të ndërsjellë midis të gjithë komponentëve të tij – personelit ushtarak, civil dhe stafit lokal – sipas motës së KFOR-XXIX: Unitas Omnia Vincit – “Uniteti i kapërcen të gjitha.”

“KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, duke garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Misioni punon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si përgjegjës për sigurinë.”, thuhet në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/