KFOR-i e shpall zonën operacionale të KEK-ut “No Flight Zone”

KFOR-i e shpall zonën operacionale të KEK-ut “No Flight Zone”

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se KFOR-i ka marrë vendim që të shpallë zonën operacionale të KEK-ut si Zonë të Ndaluar për Fluturime.

Përmes një njoftimi për media, thuhet se ky vendim është bazuar në dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-014 për Infrastrukturën Kritike.

“Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj infrastrukture, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së saj. Në këtë drejtim, KEK ka pranuar sot vendimin zyrtar të KFOR-it, me Ref. Nr. BKPR:0736/25, përmes të cilit zona operacionale e KEK-ut është shpallur Zonë e Ndaluar për Fluturime (‘No Flight Zone’), me theks të veçantë në sistemet ajrore pa pilot (dronë). Ky vendim ka hyrë në fuqi më datë 01.09.2025”, tha KEK-u në njoftimin për media.

Aty u tha se në bazë të ligjit në fjalë, objektet dhe asetet e KEK-ut kategorizohen si pjesë e infrastrukturës kritike të Kosovës.

Kjo infrastrukturë, sipas KEK-ut, përfaqëson themelin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke e bërë atë një produkt thelbësor dhe të pazëvendësueshëm për jetën e përditshme dhe zhvillimin kombëtar.

“Ky hap përfaqëson një dëshmi të qartë të angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes. KEK sh.a. shpreh mirënjohjen e thellë për rolin e KFOR-it në kontributin ndaj sigurisë së objekteve të saj”, u tha në njoftimin e KEK-ut.

Korporata ka falënderuar institucionet që kontribuojnë në mbrojtjen dhe sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe u bëri thirrje qytetarëve të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e saj dhe të respektojnë plotësisht të gjitha masat ligjore dhe të sigurisë në këtë drejtim. /Klankosova.tv

The post KFOR-i e shpall zonën operacionale të KEK-ut “No Flight Zone” appeared first on Klan Kosova.