Në kampin “Vrella”, në Qendrën e Njësive të Specializuara, u mbajt sot ceremonia e dorëzim-pranimit të poligonit të gjuajtjes dhe atij me pengesa, të rinovuar nga trupat e KFOR-it, përfshirë ushtarët amerikanë.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, përfaqësuesin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, kolonel Ferrara, komandantin e KFOR-it amerikan, kolonel Helzer, si dhe kolonel Mentor Shabanin, drejtor i Departamentit të Njësive Speciale.
Kolonel Hoxha dhe kolonel Helzer, në fjalët e tyre, vlerësuan bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e projekteve të përbashkëta në ngritjen e kapaciteteve policore dhe sigurinë publike.
Në fund të ceremonisë, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen institucionale dhe angazhimin në rinovimin e poligoneve, u ndanë pllakatë dhe mirënjohje për ushtarët e KFOR-it nga vende të ndryshme, si dhe për zyrtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!