Personat që shihni në fotografi janë tre nga pesë policët e arrestuar për rastin e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu në Lipjan.
Këta bashkë me dy të tjerë dyshohet ta kenë mbytur të riun gjatë tentativës për ta arrestuar, njofton Klankosova.tv.
Lidhur me këtë rast i cili ka tronditur mbarë opinionin publik, sot po mbahet seanca në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Lipjan.
Në seancë, nuk u lejua të merrte pjesë avokati i familjes e as mediat.
Emrat e të arrestuarve janë Ibrahim Nela, rreshter në Stacionin Policor Lipjan, Liridon Rrahmani, Artidon Konxheli dhe Albian Raktoceri, zyrtarë policorë të këtij stacioni, si dhe Endrit Beqiri, zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj.
Nëse do të hetohen për këtë vepër, si e parasheh dënimin Kodi Penal i Republikës së Kosovës?
Sipas nenit 175, kushdo që e privon nga jeta personin tjetër nga pakujdesia, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.
Si parashihet përgjegjësia penale?
Kryesi i veprës penale është penalisht përgjegjës nëse është mendërisht i aftë dhe veprën penale e ka kryer me dashje apo nga pakujdesia, ndërsa dijenia, dashja, pakujdesia ose qëllimi i kërkuar si element i veprës penale mund të nxirret nga rrethanat faktike.
Sipas Kodit, vepra penale mund të kryhet me pakujdesi të vetëdijshme apo të pavetëdijshme.
“Personi vepron me pakujdesi të vetëdijshme kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose të mosveprimit të tij, por me mendjelehtësi mendon se ajo nuk do të shkaktohet apo se ai do të mund ta parandalojë shkaktimin e saj.
Personi vepron me pakujdesi të pavetëdijshme kur nuk është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose mosveprimit të tij edhe pse në rrethanat dhe sipas vetive të tij personale ka mund të ishte apo do duhej të ishte i vetëdijshëm për këtë mundësi.” – thuhet në nenin 23.
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.
The post Këta janë tre nga pesë policët e arrestuar për rastin e 27-vjeçarit në Lipjan appeared first on Klan Kosova.