Kërkohet reflektim për ta rikthyer dialogun strategjik me SHBA-në

Kërkohet reflektim për ta rikthyer dialogun strategjik me SHBA-në

Pezullimi i dialogut strategjik SHBA-Kosovë që ndodhi dje, ka ngjallur reagime të shumta në vend.

Analistët politikë kanë bërë thirrje që të ndërmerren sa më shpejt veprime për ta rikthyer dialogun strategjik.


Sipas tyre, nga ky vendim është dëmtuar imazhi i Kosovës e mund të dëmtohet edhe rruga euroatlantike e vendit.

Sinjal serioz për të ardhmen e marrëdhënieve me SHBA-të është konsideruar vendimi i fundit i Uashingtonit për pezullimin e dialogut strategjik me vendin.

Për këtë njohës të politikës kanë bërë thirrje që sa më shpejt të reflektohet në mënyrë që të rivendoset besimi i një prej aleatëve kryesor të vendit.

Sipas Argjend Zejnajt, politikanët duhet të kenë kujdes me qasjen e tyre ndaj aleancës me SHBA-në.

Sipas analistes Fatime Hajdari, vendimi i Uashingtonit erdhi si pasojë e qëndrimeve të qeverisë në detyrë në raport me Gjykatën Kushtetuese si dhe insistimin për moszgjidhjen e një nënkryetari të Kuvendit nga radhët e Listës Serbe.

Hajdari theksoi në RTK se është e paqartë se pse vendimi është marrë në kohën e nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale.

Sipas analistëve, vendime të tilla mund të dëmtojnë Kosovën në rrugën euro-atlantike.

Andaj, në këtë situatë është vlerësuar si i rëndësishëm bashkëpunimi ndërpartiak.

Pezullimi i dialogut strategjik sipas Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë është bërë për shkak të veprimeve të ekzekutivit kosovar të cilat sipas tyre, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë të premten se do të angazhohen në mënyrë që dialogu të rifillojë sa më shpejt.