Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit B.R, nga komuna e Ferizajt, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 15.09.2025, rreth orës 19:42, në fshatin Balaj- Ferizaj, i pandehuri me dashje e ka privuar nga jeta të dëmtuarin – djalin e axhës se tij, I.R.
“Në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje te mëhershme qe kishin pasur si pasojë e problemeve në lidhje me një konflikt pronësor, me t’u takuar ne rrugën e fshatit me njeri-tjetrin, pas fjalosjes verbale, në atë moment i pandehuri B.R., e nxjerr revolen e tipit ZIG 14 TISAS dhe shtënë katër herë në drejtim të viktimës I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit, me ç’rast viktima nga lëndimet e shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë rrugës duke e dërguar për në Qendrën Emergjente të Ferizajt, me të cilën do të kryente veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.8 të KPRK-së”.
I pandehuri që nga data 15 Shtator 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur. /Telegrafi/