Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj A.B, i cili u arrestua dje në flagrancë për vepren penale “Fajdeja”.
Sipas kërkesës nga organi i akuzës, nga viti 2019 e në vazhdimësi deri më 06.08.2025 në Prizren dhe në fshatin Bllacë – Komuna e Suharekës, i pandehuri A.B., me dashje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, varfërinë, papërvojën e të dëmtuarit B.L., pranon shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit-dhënies së borxhit, në atë mënyrë që i dëmtuari duke qenë në gjendje të vështirë ekonomike, në vitin 2019 e thërret në telefon të pandehurin ku nga ai kërkon dhe merr 100 euro borxh me premtim që do t’ia kthej të pandehurit. Në muajin tetor të vitit 2019 i pandehuri e thërret përsëri të dëmtuarin në telefon, e fyen dhe kërcënon dhe i bënë presion duke i kërkuar paratë dhe atë në shumën prej 1500 euro. Gjatë vitit 2019 i dëmtuari ia jep të pandehurit shumën prej 1850 Euro.
“Në muajin mars të vitit 2020 i pandehuri shkon në fshatin e dëmtuarit ku ia merr shumën prej 800 euro, ku i thotë të dëmtuarit se nuk ia ka paguar gjithë shumën e parave. Në vitin 2020 derisa i dëmtuari kishte rast vdekje, në orët e vona të natës, i pandehuri e thërret të dëmtuarin në telefon duke i thënë i ke 8000 euro borxh, ashtu që i dëmtuari nga frika nga viti 2020 deri në vitin 2023 të pandehurit ia paguan shumën prej 8000 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë transmeton Klankosova.tv.
Tutje në njoftim, thuhet se me datë 06 janar të vitit 2024, rreth orës 20:00 min i pandehuri e thërret të dëmtuarin në telefon duke i thënë se edhe 8000 euro ia ka borxh atij, po ashtu më datë 13 janar 2024 derisa i dëmtuari kishte qenë në Gjermani, i pandehuri së bashku me dy shokë të tij shkojnë tek prindi i të dëmtuarit duke i thënë se djali i tij i ka borxh, pastaj i pandehuri e thërret përsëri në telefon të dëmtuarin duke i thënë se deri më 25 gusht 2025 e ke afatin e fundit për t’ia dorëzuar paratë, e që më datë 06.08.2025 i pandehuri takohet me të dëmtuarin, ku me rastin e zbatimit të masave të veçanta hetimore, i pandehuri arrestohet në flagrancë nga policia në momentin pasi pranon shumën prej 5000 Euro në emër të kamatës nga i dëmtuari, me ç ‘rast të dëmtuarit B.L. i ka shkaktuar dëm material. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.
“Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”.
Kapet në flagrancë fajdexhiu në Prizren, sekuestrohen mijëra euro
The post Kërkohet paraburgim ndaj fajdexhiut që u kap në flagrancë në Prizren appeared first on Klan Kosova.