Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 1 muaji, ndaj të pandehurit Akcan Haskuka, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja”, dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Klankosova.tv ka raportuar dje ekskluzivisht për rastin në fjalë, dhe aksionin e policisë që u zhvillua për kapjen e të dyshuarit 37-vjeçar.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, i pandehuri A.H., nga data e pavërtetuar gjatë vitit 2024 deri më datë 10.07.2025 në Prizren, për vete ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit S.M., i pandehuri A.H., i ka dhënë hua shumën prej 800 euro, mirëpo pas dy jave, i dëmtuari nuk ka qenë në gjendje t’ia kthejë borxhin e lartcekur, me çka për shkak të vonesës së kthimit të borxhit, i pandehuri tanimë borxhin ia ka rritur në shumën prej 2.000 euro”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje, shtohet se i dëmtuari për tre muaj rishtas i ka paguar nga 300 euro, respektivisht 900 euro, ndërsa pjesën tjetër nuk ka mundur t’ia paguaj. Pas kësaj i pandehuri nga i dëmtuari kërkon borxhin duke ia rritur në shumën prej 5.500 euro dhe në vazhdimësi nën presion ka kërkuar që t’i paguajë këtë borxh me kamatë dukshëm jo proporcionale, ashtu që me datë 10.07.2025 në Prizren, në lagjen “Bazhdaranë”, në momentin kur i dëmtuari të pandehurit ia dorëzon 5.000 euro, i njëjti kapet në flagrancë dhe arrestohet.
“Po ashtu, i pandehuri A.H., nga data e pavërtetuar gjatë vitit 2024, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, organizon dhe merr pjesë në organizimin e bixhozit dhe lojërave të fatit, e cila veprimtari është ndaluar me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, ashtu që i pandehuri të dëmtuarit S.M., i ka dhënë të holla në shumën prej 800 euro dhe i ka ofruar një program të bastores Online dhe më pas përmes kësaj veprimtarie e përfshin në fajde”, shtohet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prizren thekson se vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin. /Klankosova.tv
Aksioni kundër fajdes në Prizren: Ky është 37 vjeçari që u kap në flagrancë
The post Kërkohet një muaj paraburgim për prizrenasin që mbrëmë u kap për fajde appeared first on Klan Kosova.