E diel, 1 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeKërkohet dënim i përjetshëm për shqiptarin në Itali, i cili vrau vajzën...

Kërkohet dënim i përjetshëm për shqiptarin në Itali, i cili vrau vajzën dhe një 51-vjeçar

Prokuroria italiane ka kërkuar dënimin me burg të përjetshëm dhe 1 vit e 6 muaj izolim ditor për Taulant Malajn, bukëpjekësin shqiptar 47 vjeç, i akuzuar për dy vrasje me dashje dhe tentativë për vrasje ndaj gruas së tij.

Në qendër të çështjes, siç dihet, është masakra në Torremaggiore, e ndodhur më 7 maj të dy viteve më parë, ku i pandehuri, sipas akuzës, ka vrarë me thikë Massimo De Santis, 51 vjeç, të cilin e konsideronte si të dashurin e gruas së tij, Tefta Malaj, dhe vajzën e tij Jessica, 16 vjeçe, e cila ndërhyri për të mbrojtur nënën.

Gruaja u godit disa herë me thikë dhe mbeti rëndë e plagosur.

Në më shumë se dy orë fjalim përmbyllës, prokurorët rindërtuan të gjithë ngjarjen – një nga krimet më të rënda me gjak të derdhur të regjistruara në provincën e Foggias në dy vitet e fundit – duke analizuar qëllimin dhe motivet pas veprimeve të të pandehurit dhe duke përjashtuar çdo element që do të mund të dobësonte përgjegjësinë e tij.

Për këtë, prokurorja Cicala citoi pamjet filmike të masakrës – video tronditëse të transmetuara në sallën e gjyqit në fillim të procesit si prova kyçe – ku i pandehuri pranon dhe përvetëson aktin e dhunshëm:

“Shikoni, i vrava unë, e bëra vetë”, dëgjohet duke thënë në sfond.

“Nuk kemi vetëm pranimin e qartë të krimit, por edhe një lloj spektakolarizimi të gjestit dhe krenarie për atë që kishte bërë”, – deklaroi prokuroria.

Shkak për shpërthimin e dhunës, sipas saj, ishte zbulimi i tradhtisë së bashkëshortes Tefta, e cila, “shpëtoi për mrekulli” nga masakra, me fqinjën Massimo De Santis – i pari që u vra me 23 goditje me thikë, të kryera me “egërsi të tmerrshme”.

Sipas akuzës: “Malaj kërkonte të rikthente nderin e tij dhe të vinte në ‘rregull’ gruan, të cilën e konsideronte si pronë të vetën, që duhej ndëshkuar për pabindjen – tradhtinë.”

Gjatë diskutimit, Prokuroria rrëzoi disa elementë që mbrojtja ishte përpjekur të përdorte gjatë procesit.

Së pari, pretendimin se ekipi mjekësor i emergjencës (118) nuk kishte ofruar ndihmë të menjëhershme për vajzën dhe se kjo kishte çuar në vdekjen e saj. Prokurorët sqaruan se lëndimet në zemër dhe mushkëri ishin të tilla që ajo nuk kishte asnjë shans për të mbijetuar.

Gjithashtu u theksua se nuk ekziston asnjë provë që të tregojë ndonjë çrregullim mendor apo paaftësi për të kuptuar veprimet nga ana e Malajt.

“Asnjë precedent, asnjë histori klinike. Edhe ato që pretendojnë konsulentët e mbrojtjes lidhen vetëm me traumat e shkaktuara nga ngjarja vetë.”

Për të përmbledhur kërkesën dhe argumentet e prokurorisë, prokurori Laronga tha:

“Duhet të vlerësojmë lidhjen psikologjike mes krimeve të kryera. A kishte Malaj një plan? Për Prokurorinë, po: ai donte të vriste të dy të dashurit, njihte zakonet e tyre dhe i zuri në pritë.”

Vrasja e De Santisit dhe tentativa për të vrarë gruan janë parë si pjesë e një plani të njëjtë kriminal. Por në këtë plan u përfshi një faktor i paparashikuar – ndërhyrja e vajzës Jessica.

“Por Malaj ishte aq i vendosur për ta çuar deri në fund planin, saqë nuk u ndal as përpara vajzës. Dhe e goditi. Dy plagë vdekjeprurëse në zemër dhe mushkëri; forca e thikës i theu sternumin. Nuk ka të bëjë aspak me ndihmën mjekësore – kjo ishte vrasje e drejtpërdrejtë.”, raporton euronewsalbania.

“Për këtë lloj krimi, ligji nuk na jep shumë hapësirë: dënimi është burg i përjetshëm, me 1 vit e 6 muaj izolim, si dhe dënime të tjera shtesë të parashikuara nga ligji”, – përfundoi Laronga.

Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe palët civile që folën gjatë paradites: avokati Roberto De Rossi, që përfaqëson gruan e mbijetuar Tefta Malaj (e cila ka ndryshuar mbiemrin pas ngjarjes), avokati Matteo Tenace, që përfaqëson familjarët e Massimo De Santisit, dhe avokatja Anna Grasso nga kooperativa sociale “Il Filo di Arianna”, e cila tha se:

“Është e qartë se i pandehuri ka vepruar me qëllim për të përfunduar planin e tij kriminal.”

Të tre avokatët dorëzuan argumentet me shkrim dhe mbështetën kërkesën për dënim maksimal të prokurorisë.

Procesi gjyqësor, i nisur më 22 mars 2024, do të vazhdojë në fund të qershorit, kur do të mbahen mbledhjet përfundimtare të mbrojtjes nga avokatët Giacomo Lattanzio dhe Michele Maiellaro, për të pandehurin Taulant Malaj.

Ngjarja

Krimi ndodhi më 7 maj 2022 dhe tronditi të gjithë Provincën e Foggias. Motiv kryesor ishte xhelozia. Viktima e parë ishte Massimo De Santis, 51 vjeç, banor i të njëjtës ndërtesë me familjen Malaj.

Ai u godit me thikë në hyrje të pallatit – përfshirë në fyt – dhe vdiq nga humbja e gjakut. Pas kësaj, Malaj hyri në banesë dhe plagosi rëndë gruan.

Në përpjekje për të mbrojtur nënën, ndërhyri vajza Jessica, 16 vjeç, e cila u godit për vdekje nga babai.

Ajo vdiq gjatë transportimit në spital. Në të gjithë skenën tragjike ishte i pranishëm edhe vëllai i mitur, vetëm 5 vjeç.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

! function(f, b, e, v, n, t, s) {
if (f.fbq) return;
n = f.fbq = function() {
n.callMethod ?
n.callMethod.apply(n, arguments) : n.queue.push(arguments)
};
if (!f._fbq) f._fbq = n;
n.push = n;
n.loaded = !0;
n.version = ‘2.0’;
n.queue = [];
t = b.createElement(e);
t.async = !0;
t.src = v;
s = b.getElementsByTagName(e)[0];
s.parentNode.insertBefore(t, s)
}(window, document, ‘script’,
‘https://connect.facebook.net/en_US/fbevents.js’);
fbq(‘init’, ‘518751155614285’);
fbq(‘track’, ‘PageView’);

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT