Kërkimet për Beqir Malokajn po bëhen me dron termal, Maloku: S’do të ndalemi deri ta gjejmë

Kërkimet për Beqir Malokajn po bëhen me dron termal, Maloku: S’do të ndalemi deri ta gjejmë

Nënkryetar i Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, Mentor Malokaj, ka dhënë detaje për kërkimet që po zhvillohen për gjetjen e qytetarit Beqir Malokaj, i cili është shpallur i zhdukur që nga dita e diel.

Maloku tha se aktualisht kërkimet po vazhdojnë të bëhen edhe nga FSK-ja, policia dhe qytetarët e Istogut, ku tha se tashmë e kanë rritur rrezen e kërkimit pasi në pikën ku janë gjetur syzet e Malokajt, s’ka shanse të jetë aty.

“Tani do të jemi në një fshat afër Istogut ku për momentin po e bëjmë kërkimin me dron termal. Aty ku po dyshojmë, po shkojmë të shikojmë se çka është. Malokaj është parë për herë të fundit ditën e diel ku e kanë kapur kamerat e qytetit. Ka pasur disa lajme se është parë diku, por fatkeqësisht nuk është parë askund tjetër”.

“Sot ka qenë një kërkim masiv i organizuar nga komuna e Istogut bashkë me FSK-në, policinë dhe ne si shoqatë. Tani në këto momente po e bëjmë kërkimin vetëm ne si shoqatë, familjarët dhe disa qytetarë që i kemi këtu afër”, tha Maloku në Edicionin Special në Klan Kosova.

Tutje, ai u shpreh se Beqir Malokaj ka dalë nga shtëpia mëngjesin e së dielës për të shkuar në një aheng tek motra e tij dhe i ka hyrë malit për t’i rënë rrugës shkurt dhe që nga atëherë s’ka informacione për të, teksa shtoi se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e tij.

“Do të vazhdojmë deri rreth orës 01:00. Cdo ditë kemi vazhduar deri në 02:00 të mëngjesit. Gjatë ditës jemi të angazhuar që ta bëjmë kërkimin fushor ndërsa në mbrëmje jemi me dron duke e krehur zonën. Shpresoj që ta gjejmë së shpejti shëndosh e mirë, kërkimin nuk do ta ndërprejmë deri sa ta gjejmë Beqir Malokajn”, tha Maloku.

The post Kërkimet për Beqir Malokajn po bëhen me dron termal, Maloku: S’do të ndalemi deri ta gjejmë appeared first on Klan Kosova.