Gazetari dhe autori i emisionit Rubikon në Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, ka ndarë një ngjarje e cila tha se i ndodhi dje në Agjencinë për Regjistrim Civil që është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Xhelal Sveçlës.
Kelmendi u ankua se tri shërbime nga kjo agjenci janë ndryshuar, e sistemi për njoftim me mesazhe telefonike, sipas tij, nuk po funksionon. Këto ndryshime, sipas tij, ia komplikojnë jetën qytetarëve dhe shënojnë trendin negativ.
“Shteti në rënie të lirë! Kur të gjithë ecin përpara, ne ia kemi mësy’ pingul teposhtë”, shkroi Kelmendi, transmeton Klankosova.tv.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Shteti në rënie të lirë!
Qe çka na ndodhi dje. Shkon Zana ta nxjerrë letërnjoftimin për djalin e vogël në Agjencinë për Regjistrim Civil, që është nën MPB-në e Xhelal Sveçlës. I merr të dyja letërnjoftimet tona, ashtu siç kishim vepruar me djalin e madh para dy vjetësh. Pret në rend. Kur hyn brenda, i thonë duhet edhe bashkëshkorti të vijë fizikisht.
– Pse? – pyet.
– Është ndërruar tash e disa muaj, tash duhen dy prindërit fizikisht të vijnë! – përgjigjja.
– E pse nuk ka asnjë njoftim zyrtar askund se ka ndodhë ky ndryshim?
– S’di, – i thonë. – Neve s’na pyet kush.
Më thërret. I them se po nisem, “merre një numër pritjeje që ta zëmë radhën deri sa të mbërrij”. Por – çudi – s’ka numër pritjeje.
– Përpara e keni pasur aparatin me numrat për pritje, tash me u shty’ njerëzit në rend; çka ka ndodhë? – e pyes punonjësen, e cila me shumë mirësjellje kërkon falje dhe rrudhë krahët.
– Ka disa muaj është prishë aparati, s’e ka rregullu’ askush.
Mirë shumë. Kryejtëm punë.
E pyes në dalje:
– Sigurisht, na vjen sms si gjithmonë për të tregu’ se kur ta marrim letërnjoftimin?
– Jo, valla, – sërish me keqardhje – ky sistemi i ri s’po funksionon dhe nuk ju vjen sms, veç pas nja 10 ditësh hajdeni të shikoni se sigurisht kryhet.
– Urime! Pasket përparu’! Tri shërbime qenkan ndryshu’ për t’ia kompliku’ jetën qytetarëve!
– More, mirë që erdhët pa ardhë diaspora se sivjet mosvet çka kemi me pa!
Tash, jo që u bë nëmi, por këto situata shenjojnë trendin negativ në të cilin jemi zhytur.
Kur të gjithë ecin përpara, ne ia kemi mësy’ pingul teposhtë!
The post Kelmendi tregon përvojën e tij në MPB: Ia kemi mësy’ pingul teposhtë appeared first on Klan Kosova.