Komisioni Evropian deklaroi se Serbia dhe Kosova nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit “me vetëdije dhe me vullnetin e tyre të lirë”. Kështu thanë për N1 nga KE-ja, duke komentuar deklaratën e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ishte nënshkrues i këtij dokumenti, se bashkësia ndërkombëtare e mashtroi Serbinë kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit.
BE-ja ende pret që të dyja palët të zbatojnë atë që premtuan, duke shtuar se kjo do të ketë një ndikim pozitiv në integrimin evropian të Serbisë.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia hynë në marrëveshje plotësisht me vetëdije dhe me vullnetin e tyre të lirë. Këto marrëveshje mbeten në fuqi. BE-ja pret që të dyja palët të kontribuojnë në një atmosferë të favorshme për pajtimin dhe normalizimin me deklaratat dhe veprimet e tyre”, thanë nga Brukseli për N1, transmeton Klankosova.tv.
Edhe pse nuk ka takime në nivelin më të lartë, Komisioni Evropian këmbëngul se dialogu nuk është ndërprerë dhe kujton se negociatorët teknikë u takuan në qershor.
N1 shton se, megjithatë, ata nuk përmendën se takimi “nuk çoi në ndonjë rezultat, siç bënë shumica e takimeve zyrtare në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, si dhe ato jozyrtare, të mbajtura në margjinat e tubimeve të ndryshme ndërkombëtare”.
Nga KE-ja fajësuan si Prishtinën ashtu edhe Beogradin për ngadalësinë e dialogut.
“BE-ja është gati të presë raundin e ardhshëm të bisedimeve sapo palët të tregojnë gatishmëri, përfshirë edhe në nivelin më të lartë”, theksuan nga Komisioni Evropian. /Klankosova.tv
The post KE-ja demanton Daçiqin: Kosova dhe Serbia, me vetëdije dhe vullnet nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit appeared first on Klan Kosova.