Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se vlerëson se situata e krijuar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe afatit të përcaktuar për konstituimin e Kuvendit ka rikthyer në qendër të vëmendjes rëndësinë e rregullave dhe afateve kushtetuese si garanci për stabilitetin dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
KDI tha se presidentja e vendit, si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, siç thuhet në reagim, ka detyrimin të ndërmarrë hapa për të ruajtur integritetin e rendit kushtetues.
“Ne kemi theksuar në vazhdimësi se Presidentja e vendit, si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, ka detyrimin të ndërmarrë hapa për të ruajtur integritetin e rendit kushtetues. Në këtë drejtim, vlerësojmë veprimin e saj për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, që është autoriteti i vetëm kompetent për të interpretuar situatën e krijuar dhe për të garantuar respektimin e afateve kushtetuese”.
“Megjithatë, kërkesa e Presidentes për interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e paraqitur vetëm pak ditë para përfundimit të afatit 30-ditor, ngre disa dilema. Fillimisht, është e paqartë se ku qëndron pretendimi për “konflikt të kompetencave” mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë në këtë moment, përderisa afati ende nuk ka përfunduar, dhe Kuvendi ka ende hapësirë për të përmbushur detyrimin e tij për konstituim. Në këtë kuptim, kërkesa duket se paragjykon rezultatin e ditëve të mbetura dhe dobëson pritshmërinë që deputetët ta përmbushin përgjegjësinë e tyre”.
“Mbi të gjitha, pyetja “çfarë ndodh pas 30 ditësh?” është një çështje që ka mundur – dhe është dashur – të sqarohej menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, në mënyrë që të sigurohej qartësi mbi pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit”, thuhet në reagim.
Në anën tjetër, sipas KDI-së, kërkesa për pezullim të afatit kushtetues, në formën e një mase të përkohshme, siç thuhet në reagim, duket e paarsyeshme, meqë e njëjta iu mundëson “komoditet”, për mosveprim subjekteve parlamentare dhe deputetëve.
KDI gjithashtu tha se mosrespektimi i afatit përbën një dështim për të përmbushur një detyrim themelor kushtetues.
“KDI konsideron që aktgjykimi i 26 qershorit është i qartë dhe ka përcaktuar afatin 30-ditor si detyrues dhe substancial për subjektet parlamentare, respektivisht deputetët. Në fakt, mosrespektimi i afatit përbën një dështim për të përmbushur një detyrim themelor kushtetues”.
“Respektimi i dispozitave dhe afateve kushtetuese është një nga shtyllat themelore të rendit demokratik, meqë ato synojnë të parandalojnë bllokada institucionale dhe të orientojnë akterët drejt zgjidhjeve. Andaj, ftojmë subjektet parlamentare të tregojnë përgjegjësi, të respektojnë Kushtetutën dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të përmbushur detyrimet e tyre brenda afateve. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese mund të qartësojë pasojat e skadimit të afatit, por nuk mund të shërbejë si mekanizëm për të pezulluar përgjegjësinë politike”, thuhet tutje në reagim./Klankosova.tv
The post KDI: Respektimi i afateve kushtetuese, thelbësor për rendin demokratik dhe legjitimitetin e institucioneve appeared first on Klan Kosova.