Katër pjesëtarë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës raportohet se janë suspenduar nga detyra.
Sipas raportimeve, arsyeja e suspendimit të katër zyrtarëve policor është bërë për shkak se ata kanë krijuar një grup të mbyllur mes kolegësh dhe kanë bërë shaka me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, i cili e ka cilësuar si veprim të motivuar politikisht.
Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj tha se masat e marra ndaj policëve janë dëshmi e ndërhyrjes politike, që sipas tij fillimisht kanë ardhur nën ndikimin e Presidencës dhe tash, siç u shpreh ai, “nga kërkushi hiç”.
“Masat ekstreme që ishin marrë për katër policë janë dëshmi e ndërhyrjes së pastër politike, me qëllim të ushtrimit të diktatit me masa arbitrare, më parë nga Presidenca dhe tash nga kërkushi hiç. Kurdo që të konstituohet Kuvendi, interpelanca është e domosdoshme për kidnapuesin e zyrës së Ministrisë së Brendshme. Policia nuk është vegël përmes së cilës herë dëshironi të tregoni ‘muskuj’ e herë i shtypni sipas agjendave tuaja politike ditore”, shkroi Haradinaj.