Praktike, elegante dhe gjithmonë në trend
Me ardhjen e ditëve më të freskëta, xhaketat bëhen pjesë e pandashme e gardërobës sonë. Periudha kalimtare, kur temperaturat luhaten mes verës dhe vjeshtës, është koha ideale për të eksperimentuar me shtresa dhe për të krijuar kombinime krijuese.
Ky sezon sjell një larmi modelesh që jo vetëm ofrojnë funksionalitet, por edhe pasqyrojnë tendencat më të fundit të pasarelave.
Shtëpitë më të njohura të modës, si Khaite dhe Miu Miu, kanë prezantuar koleksione të reja që rikthejnë në qendër të vëmendjes frymën e viteve ’80, me linja të guximshme, detaje retro dhe të gjera. Këto tendenca janë shkrirë me prakticitetin e përditshëm, duke krijuar xhaketa që mund të përshtaten me çdo stil: nga kombinimet sportive dhe të lira, te ato elegante e të rafinuara.
Në këtë artikull ju sjellim katër modele kryesore të xhaketave që do të dominojnë periudhën kalimtare. Ato janë të thjeshta për t’u kombinuar, funksionale për ndryshimet e motit dhe mjaftueshëm elegante për të përmirësuar çdo pamje, transmeton Telegrafi.
Xhaketa aviator
Xhaketa aviator, e njohur edhe si xhaketë pilotësh, ka përjetuar një rikthim të madh në disa sezone të fundit. Modelet prej lëkure janë zgjidhje ideale për çdo kombinim – do t’ju mbajnë ngrohtë, ndërkohë që duken moderne. Mund ta stilizoni me një fustan të zi të ngushtë, me fund të shkurtër apo me xhinse.
Xhaketa sportive
Një tjetër shenjë e kthimit të viteve ’80 është xhaketa sportive. Me siguri prindërit apo gjyshërit tuaj kanë mbajtur një model të tillë. Lajmi i mirë është se ky stil këtë sezon është sërish shumë aktual. Edhe pse sportive, kur stilizohet si duhet, duket jashtëzakonisht elegante. Është e përshtatshme për periudhën kalimtare, ideale për kombinime me shtresa dhe ofron rehati maksimale.
Xhaketë pune
Të njohura edhe si xhaketa fshatare, po bëhen gjithnjë e më të njohura nga sezoni në sezon. Ky model është zgjedhja e shumë influencueseve të modës për kalimin nga ditët e verës te ato të vjeshtës. Nëse e kombinoni me elemente më elegante, si fundi i shkurtër apo pantallonat cigare, do të merrni një pamje à la princeshë Diana. Nëse doni të arrini estetikën e luksit të heshtur, atëherë kombinimi më i mirë është me pantallona të bardha.
Sako e lirshme
Prerjet e lira janë një pjesë e domosdoshme e gardërobës suaj këtë sezon (apo më mirë të themi, çdo sezon). Janë perfekte si për daljet e përditshme, ashtu edhe për mbrëmje. Ky model mund të kombinohet me xhinse të çdo lloji, me funde midi, madje edhe me fustane të shkurtra. Nëse dëshironi të shkoni një hap më tej, shtoni një rrip në bel – një tjetër detaj i frymëzuar nga vitet ’80.
/Telegrafi/