Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike “Termokos”, në mbledhjen e mbajtur më 18 shtator 2025, ka emëruar Kastriot Bllacën në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv.
Bllaca ka një karrierë shumëvjeçare brenda ndërmarrjes, ku ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në sektorë të ndryshëm, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit të Termokosit, përvoja e tij dhe njohja e thellë me sfidat dhe potencialet e kompanisë pritet të shërbejnë si bazë e fortë për realizimin e projekteve kapitale zhvillimore, që synojnë rritjen e efikasitetit, zgjerimin e shërbimeve dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit me ngrohje për qytetarët e Prishtinës.
Termokosi, me mbi pesë dekada funksionim, ka kaluar faza të rëndësishme zhvillimore, veçanërisht pas implementimit të Projektit të kogjenerimit.
Ky projekt është konsideruar si pikënisje për investime të mëtejshme strategjike, mes tyre: zgjerimi dhe rehabilitimi i rrjetit të ngrohjes, projekti “Prishtina HeatSave”, si dhe projektet aktuale në proces, përfshirë “Solar 4Kosovo” dhe projektin për dyfishimin e kapaciteteve. /Telegrafi/