Kastrati: S’mjafton veç asfalti në Kamenicë, duhet të gjendemi në procese të ndryshimeve që ndodhin në Ballkan

Kastrati: S’mjafton veç asfalti në Kamenicë, duhet të gjendemi në procese të ndryshimeve që ndodhin në Ballkan

Kandidati i Partisë Socialdemokrate për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati, e ka prezantuar planin e tij 4-vjeçar në rast se ai do ta merr drejtimin e këtij qyteti.

Kastrati tha se nuk mjafton vetëm shtrimi i asfaltit dhe trotuareve për ta ndërruar trendin e Kamenicës, por tha se duhet të gjenden në procese të ndryshimeve që ndodhin në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Një prej gjërave më të rëndësishme do të jetë që do t’i japim identitetin e komunës më të gjelbër edhe në Ballkanin Perëndimor, që do të ketë edhe teknologji të ndryshme, që nga kapja e karbonit e deri te zvogëlimi i emetimeve të gazrave të karbonit, prodhimit të energjisë së ripërtishme”.

“Në këtë aspekt, një lëvizje tjetër me rëndësi është Procesi i Berlinit, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do ta bëjnë një treg të përbashkët, dhe në 2030 sipas procesit të integrimit në BE do të jenë pjesë e tregut evropian, ku parashihet rritja ekonomike me qenë 10 për qind”, tha Kastrati në Edicionin Special në Klan Kosova.

Tutje, ai u shpreh se Kamenica është një prej komunave që do ta ketë qasjen më të afërt në Korridorin 10, ku sipas tij, do të ndërtojnë një zonë ekonomike që do të jetë për prodhues të cilët kryesisht e synojnë tregun evropian.

“Po ashtu, shumë me rëndësi është turizmi malor. Ne karakterizohemi me 70 për qind të territorit kodrinor-malor që është një bukuri më e veçantë. Jemi me fat që nuk ka degraduar si në vendet e tjera. Tash duhet ta bëjmë një sistem të përbashkët që të mos ketë vila në më poshtë se 20 ari”, tha ai.

The post Kastrati: S’mjafton veç asfalti në Kamenicë, duhet të gjendemi në procese të ndryshimeve që ndodhin në Ballkan appeared first on Klan Kosova.