Më 2021, derisa vendi po bëhej gati për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje doli me një program qeverisës.
Aty ai pothuajse nuk la gjë pa premtuar.
Megjithatë, zbatimi i këtyre premtimeve e zotimeve la shumë për të dëshiruar.
Duke synuar votat e mërgatës, Kurti në shpalosje të programit qeverisës, premtoi heqjen e Kartonit të Gjelbër për ta.
“Qeveria jonë nuk mund ta nënvizojë fuqishëm interesimin dhe gatishmërinë e saj për fuqizimin e rolit që duhet të ketë mërgata në ekonominë tonë. Përtej pjesëmarrjes së saj në anën e kërkesës agregate që kujdeset për mirëmbajtjen e sektorit të ndërtimtarisë në vend dhe atë të shërbimeve në muajt e verës, mërgata ka potencial shumëfish më të madh. Nuk do ketë më karton të gjelbër për mërgatën. Ne do kujdesemi që mërgata të avancohet në mbështetës të fuqishëm të përpjekjeve tona për zhvillim ekonomik e shoqëror si përmes iniciativave private biznesore ashtu edhe përmes kthimit të kapitalit human që do vihej në shërbim të disenjimit dhe zbatimit të politikave tona ekonomike apo kthimit të efiçiencës te ndërmarrjet tona publike”, pati deklaruar Kurti më 2021.
Megjithatë, ky premtim nuk u mbajt. Krejt çka bëri Qeveria Kurti 2 për mërgatën në raport me sigurimet për automjetet e tyre në katër vjet mandat është ofrimi i mundësisë që këtë pagesë t’ua mbulojë nga buxheti i vendit për periudha të caktuara kohore, kryesisht gjatë sezonit të verës.
Gjatë 2020 dhe 2021, Qeveria kishte ndarë 8 milionë euro nga buxheti për të mbuluar sigurimin kufitar për diasporën.
Ndërkaq, më 2022, të gjithë qytetarët nga diaspora që kanë paguar sigurimin kufitar, janë rimbursuar nga Qeveria, pas plotësimit të një aplikimi elektronik. Duket se sistemi i njëjtë është përdorur edhe për vitet pasuese.
Si certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, Kartoni i Gjelbër njihet nga autoritetet e 47 vendeve evropiane.
Ky lloj sigurimi mbulon dëmet personale ose materiale që mund të shkaktohen, në rast të aksidentit në territorin e një shteti ku vlen Kartoni i Gjelbër, dhe merret kur sigurohet automjeti.
Si i tillë, ai vlen në të gjitha shtetet që e kanë në përdorim.
Statuti i Këshillit të Byrove Evropiane, përveç tjerash, thekson se, për të pranuar një shtet, ai duhet të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Kosova nuk është pjesë e OKB-së.
Personat që hyjnë në Kosovë me automjete me targa të huaja duhet të paguajnë 15 euro për një qëndrim prej 15 ditësh. Qëndrimi për një vit kap vlerën e 205 eurove. /Klankosova.tv
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>