Kapet në Mal të Zi 31-vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht për kultivim të kanabisit – pritet ekstradimi

news image

Policia e Shtetit ka njoftuar se është finalizuar një fazë e re e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit intensiv me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si pjesë e këtij operacioni, një shtetas shqiptar, i akuzuar për kultivim të bimëve narkotike në Lezhë, është kapur në Malin e Zi dhe arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe shkëmbimit të tij me Policinë e Malit të Zi, nëpërmjet Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi i shtetasit M. D., 31 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 23.04.2025, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera gjatë operacionit policor të koduar “Vakumi”, i zhvilluar në prill 2025, dyshohet se M. D. ka bashkëpunuar me një tjetër person të arrestuar gjatë këtij operacioni për kultivimin e 1640 bimëve narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshte, Lezhë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 34 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e paketuar për shitje.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasit M. D. në Shqipëri.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/